Padi për policin e Maqedonisë së Veriut nën dyshimet se ka zbuluar një sekret zyrtar

Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur një kallëzim penal ndaj punonjësit të policisë nga Gjorçe Petrov nën dyshimet se ka zbuluar një sekret publik. Policia do të largojë nga puna të dyshuarin deri në zbardhjen e rastit, transmeton Portalb.mk.

“Kallëzim penal ndaj punonjësit të policisë A.J. në Stacionin Policor në Gjorçe Petrov, nën dyshimet se ka kryer veprën penale “zbulim i sekretit zyrtar”, vepër e dënueshme në bazë të nenit 360 nga Kodi Penal”, raportoi Policia e Maqedonisë së Veriut.

Një menaxher i objektit hotelerik nga Shkupi, në muajin dhjetor ka raportuar në Polici dëmtim të pronës dhe zhvatje, ndërsa videot e kamerave të sigurisë që ishin dërguar te polici i akuzuar, kishin arritur në dorën e një të burgosuri në Prilep. Ky i fundit ishte raportuar nga menaxheri për zhvatje.