Pacolli për vrasjen e Liridona Ademajt: Duhet të përgjigjen para drejtësisë ata që po hamendësojnë, gënjejnë dhe shpikin skenarë

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka reaguar sërish në lidhje me vrasjen e Liridona Ademajt, vrasje kjo e cila ndodhi më 29 nëntor në Prishtinë.

Pacolli përmes një postimi në Facebook është shprehur i zhgënjyer nga disa njerëz, që sipas tij, gënjejnë dhe shpikin skenarë, siç tha, thjesht për të thënë diçka, përcjell Klankosova.tv.

“Jam shumë i zhgënjyer nga fakti që disa njerëz të pa skrupull, pa asnjë respekt për tragjedinë e ditëve të fundit, për viktimën dhe njerëz tjerë që nuk kanë lidheshmëri me ngjarjen, imponohen në televizion dhe media të ndryshme ku rrëfejnë, hamendësojnë, gënjejnë dhe shpikin skenarë, thjesht për të thënë diçka”.

“Kështu, këta njerëz faqezinjë përmes ekranit dhe platformave mediatike mundohen të ngatërrojnë publikun me gënjeshtra të pakuptimta, duke krijuar narrativa të shpikura për njerëzit (që nuk kanë asnjë lidhje me rastin). Këta njerëz po u shkaktojnë dhembje, atyre, fëmijëve dhe familjeve të tyre. Këta duhet të përgjigjen para drejtësisë”, ka shkruar Pacolli.