Pa lënë gjurmë edhe te Aston Villa, Jadon Sancho do të largohet në janar

Jadon Sancho po kalon një periudhë të pasigurt në karrierën e tij dhe duket se situata e tij te Aston Villa nuk ka përmirësime.

25-vjeçari është i pakënaqur me rolin e tij aktual dhe largimi në afatin kalimtar të janarit tashmë është një skenar real. Bisedimet paraprake për një transferim kanë nisur.

As Aston Villa, ku ai është i huazuar, dhe as Manchester United, klubi që zotëron kartonin e tij, nuk e shohin Sanchon si pjesë të planeve afatmesme. Për këtë arsye, ai është i disponueshëm në treg dhe huazimi aktual mund të mbyllet më herët se sa ishte planifikuar.

Sipas raportimeve të ‘CaughtOffside’, Sancho e ka shfrytëzuar pushimin ndërkombëtar për të udhëtuar në Stamboll, ku është takuar me përfaqësues të tri klubeve kryesore turke: Besiktas, Fenerbahçe dhe Galatasaray.

Qëllimi i këtyre takimeve ishte të shqyrtonte mundësinë e një transferimi të menjëhershëm në Superligën turke.

Sancho është i gatshëm të ulë një pjesë të pagës së tij për të realizuar transferimin, por në këmbim kërkon një vend titullari të garantuar si dhe komunikim të rregullt me drejtuesit e klubit për të siguruar qartësi për rolin e tij.

Ai kërkon stabilitet dhe garanci sportive, gjë që nuk e ka gjetur në Angli.

Një tarifë e mundshme transferimi nuk pritet të jetë e lartë, pasi kontrata e tij me Manchester United skadon në fund të sezonit.

Ndërkohë, Borussia Dortmund po e konsideron një rikthim të mundshëm të lojtarit, edhe pse Sancho do të duhet të pranojë një ulje më të madhe page nëse dëshiron të kthehet në Bundesligë.