Nikolla Lakiq, kirurg kardiovaskular nga Lubjana, Ugolino Livi, kardiokirurg nga Italia dhe Hugon Mozhina, specialist internist dhe specialist për mjekim intensiv nga Lubjana, janë tre ekspertët e huaj, të cilët do të konsultohen për rastet e intervenimeve të panevojshme kardiovaskulare, kupton MIA, transmeton Portalb.mk.
Siç njofton MIA, sipas ekspertëve, problem është fakti që në këtë grup nuk ka kardiolog intervent, i cili në thelb e vendos diagnozën. Pa angazhimin e një specialisti të tillë, te ekspertët lind dyshimi. Veçanërisht në lidhje me ekspertin e tretë të huaj, dr. Mozhina, i cili është internist.
Është e paqartë edhe pse u prit kaq gjatë për ekspertët e huaj. Fillimisht thuhej se problem ishin zgjedhjet lokale, por ato përfunduan para dy muajsh.
Është e paqartë edhe pse Prokuroria Publike hesht, megjithëse ka tetë raste të konfirmuara të ndërhyrjeve të panevojshme, pas të cilave qëndruan 16 ekspertë kryesorë të kardiologjisë, e më pas këtyre tetë rasteve iu shtuan edhe dy të tjera.
Në pyetjen nëse ka ndryshime në përbërjen e Komisionit vendor ekzistues, nga Ministria e Shëndetësisë për MIA theksojnë se ndryshimi në përbërjen e Komisionit ka vetëm në pjesën e njërit prej përfaqësuesve të tyre. Si anëtar i ri i Komisionit, siç thuhet, është emëruar dr. Aleksandar Stankov, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ndërsa kryetar vazhdon të jetë dr. Zharko Hristovski, specialist i kardiologjisë nga Acibadem Sistina, si anëtari më i moshuar i Komisionit.
Sipas burimeve të MIA-s, është e paqartë edhe pse është angazhuar mjek nga Mjekësia Ligjore, pasi kjo ka shkaktuar revoltë te një pjesë e madhe e atyre 16 ekspertëve për sëmundjet kardiovaskulare.

Më 14 nëntor, ministri i Shëndetësisë Azir Aliu njoftoi se komisioni i brendshëm për ndërhyrje kardiologjike dhe kardiokirurgjikale në Ministrinë e Shëndetësisë, nga 19 raportet e analizuara nga pacientët dhe institucionet për raste të dyshuara të ndërhyrjeve të panevojshme në zemër në institucionet publike dhe private të kujdesit shëndetësor, përcaktoi se 10 ishin operacione të kryera pa nevojë ose të referuara pa nevojë për operacione.
Kirurgu kardiolog Sashko Kedev në një intervistë për Kanal 77, tha se në disa spitale private kryhen ndërhyrje të panevojshme për fitim, duke përfshirë stentime dhe operacione të panevojshme. Ai nuk përmendi asnjë spital me emër.
Pas kësaj Ministria e Shëndetësisë formoi Komisionin e Brendshëm të përbërë nga ekspertë mjekësorë, juristë dhe ekonomistë.





