OVL-UÇK: Aktakuza ndaj Shehollit të trajtohet si çështje e sigurisë kombëtare

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka kërkuar që aktakuza për “spiunazh” dhe “shantazh” ndaj Fatmir Shehollit të mos trajtohet thjesht si çështje e përgjegjësisë individuale, por si çështje e sigurisë kombëtare të Kosovës.

Përmes një reagimi publik, OVL e UÇK-së thotë se e respektojnë prezumimin e pafajësisë dhe se fajësia vërtetohet vetëm përmes procesit gjyqësor të pavarur, profesional dhe transparent.

Por, thotë kjo organizatë, “akuzat për spiunazh dhe shantazh, përfshirë bashkëpunimin e supozuar me BIA-n e Serbisë, i detyrojnë institucionet të gjurmojnë çdo kontakt, ndërmjetës, burim, komunikim, lidhje financiare dhe marrës të materialeve të ndjeshme”.

“Nëse provat zbulojnë rrjete më të gjera, ato duhen shpërbërë pa hezitim. Kosova nuk duhet të tolerojë struktura të fshehta që grumbullojnë informacione, formësojnë narrativa apo u shërbejnë interesave të huaja kundër sigurisë, sovranitetit dhe integritetit të saj territorial”, thanë nga kjo organizatë.

Për më tepër, OVL e UÇK-së kërkoi nga institucionet që të vërtetojnë gjithashtu “nëse shërbimet inteligjente armike kanë mbledhur, përcjellë apo shfrytëzuar materiale për luftën e drejtë çlirimtare të UÇK-së”.

“Kjo nuk e barazon aktakuzën ndaj Shehollit me proceset pranë Dhomave të Specializuara; kjo kërkon qartësi mbi origjinën, përcjelljen, kontekstin dhe përdorimin e materialeve që mund të sjellin pasoja politike, institucionale apo gjyqësore”.

“Beteja për mbrojtjen e të vërtetës së UÇK-së nuk përfundoi më 12 qershor 1999. Ajo vazhdon kundër luftës hibride, propagandës dhe shtrembërimit të qëllimshëm të historisë mbi të cilën ngrihet ky shtet”, thanë nga OVL e UÇK-së, duke kërkuar që institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë duhet të ndjekin provat kudo që të çojnë.

Prokuroria Speciale e Kosovës, të martën njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”. /Klankosova.tv