Sipas letrës, një nga problemet kryesore është mungesa e një metodologjie të qartë kërkimore, çka, sipas organizatës, e afron publikimin më shumë me një përmbledhje sesa me një studim të mirëfilltë shkencor. Po ashtu, theksohet se në disa raste janë përfshirë ngjarje të cilat cilësohen si “masakra”, ndonëse vetë publikimi pranon mungesën e burimeve të mjaftueshme për to, duke krijuar kontradikta dhe dyshime për saktësinë e të dhënave.
OVL-UÇK kritikon edhe mënyrën e klasifikimit të viktimave, duke e cilësuar si reduktuese ndarjen strikte mes civilëve dhe luftëtarëve, e cila, sipas tyre, nuk reflekton kompleksitetin e realitetit në terren dhe mund të çojë në interpretime të deformuara.
Në letër përmenden gjithashtu mospërputhje në të dhënat numerike të viktimave dhe përdorimi i materialeve vizuale që, sipas OVL-UÇK-së, nuk përkojnë gjithmonë me ngjarjet që pretendohet të paraqiten.
Organizata vlerëson se përfshirja e institucioneve ndërkombëtare si mbështetëse të publikimit nuk është neutrale dhe krijon një lidhje të drejtpërdrejtë të legjitimitetit institucional me përmbajtjen e tij, pavarësisht deklarimeve formale të distancimit. /Kp/



