Osmani: T’i shkatërrojmë zinxhirët e trafikimit me qenie njerëzore

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të homologut Ilir Meta, sot ka udhëtuar për në Shqipëri ku do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare me temë: Trendet aktuale të trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkanin Perëndimor.

Lajmi është bërë i ditur nga Presidenca, përmes një komunikate për media.

“Në këtë konferencë, Presidentja Osmani do të jetë ndër folëset kryesore dhe në ekspozenë e saj do të flasë për trafikimin me qeniet njerëzore në kontekstin kosovar, rajonal dhe global”, thuhet në njoftim.

“Folës në këtë konferencë, përveç presidentit Meta dhe presidentes Osmani, do të jenë edhe senatorë e kongresmenë amerikanë, përfaqësues të OKB-së, si dhe të organizatave joqeveritare që merren me luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore”.

Lidhur me këtë konferencë ka shkruar edhe vetë Osmani në llogarinë e saj në Facebook, duke thënë se “duhet t’i shkatërrojmë zinxhirët e këtij krimi përpara se ato ta shkatërrojnë fatin e më shumë njerëzve”.

“Trafikimi me qenie njerëzore nuk është vetëm një fenomen që duhet trajtuar nga prizmi ligjor e institucional. Trafikimi do të thotë një mundësi e humbur për zhvillim personal e avancim, një jetë larg bankave shkollore apo familjarëve e më të dashurve – do të thotë vuajtje, dhimbje, e dëshpërim. Ne duhet t’i shkatërrojmë zinxhirët e këtij krimi përpara se ato ta shkatërrojnë fatin e më shumë njerëzve”, ka shkruar ajo.