Osmani thotë se ka zgjidhje për “Cvetan Dimov”: Shesh mbi bulevard

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, këtë mëngjes në faqen e tij zyrtare në Facebook prezantoi vizionin e tij për një transformim të madh urban të komunës përmes projektit “Sheshi Liria”. Projekti parasheh zgjidhjen e plotë të nyjës së komunikacionit me nënkalim, ndërtimin e një sheshi modern dhe qindra vende parkimi nëntokësore. Ky projekt do t’i japë jetë të re Çairit.

“Ky nuk është vetëm një projekt infrastrukture. Ky është një projekt që ia kthen Çairin qytetarëve. Trafiku shkon nën tokë, ndërsa njerëzit, familjet dhe biznesi lokal fitojnë hapësirë për jetë, shoqëri dhe zhvillim. Ky është vizioni për Çairin 2040, standarde evropiane që e kthejnë pengesën në mundësi,” deklaroi Osmani.

Për të treguar realizueshmërinë e idesë, Osmani sot publikoi një video nga vizita e tij në Ferizaj, Kosovë, ku zgjidhje të ngjashme tashmë e kanë liruar qytetin nga kaosi i trafikut. “Nëse funksionon atje, do të funksionojë edhe në Çair. Komuna jonë meriton më të mirën dhe unë nuk do të pranoj më pak,” theksoi ai.

Projekti, i hartuar nga ekipi i arkitektit të njohur botëror Michel Rojkind, parasheh nyje trafiku nëntokësore në bulevardin “Cvetan Dimov”, sheshin e ri “Liria” si hapësirë për takime, kulturë dhe bashkëjetesë, si dhe parking nëntokësor me qindra vende që do ta lirojnë Çairin nga kaosi i trafikut dhe do t’i japin frymëmarrje përditshmërisë.

“Ky është një projekt për çairasit. Real, i zbatueshëm dhe i domosdoshëm. Ky është fytyra e re e Çairit, e ardhmja që do ta ndërtojmë së bashku dhe krenaria e të gjithë Shkupit,” përfundoi Osmani.