Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka takuar zëvendëskryeministrin e Italisë, Antonio Tajani, dhe ministrin e Mbrojtjes, Guido Crosetto.
Osmani me dyshen italiane folën për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe dialogun me Serbinë.
“Sipas Presidentes Osmani, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në fushën e reformave në drejtësi dhe zbatimin e sundimit të rendit e ligjit. Ajo ka theksuar se Kosova është një vend me potencial të madh të të rinjve të kualifikuar dhe se ofron mjedis të përshtatshëm për investime të huaja”, thuhet në komunikatën e presidencës, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, në këtë takim, Osmani mori mbështetje nga Tajani për liberalizimin e vizave, por edhe për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
“Presidentja Osmani ka vlerësuar kontributin e Italisë në kuadër të KFOR-it dhe ka theksuar nevojën për shtimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes”.
“Duke u ndalur te zhvillimet e fundit në vend, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë në koordinim me aleatët dhe po bëjnë përpjekje intensive për ta gjetur një zgjidhje të pranueshme për çështjen e targave brenda afatit 48-orësh”, thuhet tutje në komunikatë, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, Osmani tha se Serbia po përpiqet që nëpërmjet strukturave ilegale në veri të Kosovës ta destabilizojë vendin.
“Presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e Kosovës për paqe, siguri dhe sundim të ligjit në gjithë territorin e Republikës. Në këtë kontekst, ka potencuar se për sukses të procesit të dialogut, nevojitet trajtim i barabartë i palëve të përfshira”.
“Më tej, Presidentja Osmani nënvizoi se rezultati përfundimtar i dialogut duhet të jetë njohja reciproke. Në këtë frymë, Presidentja Osmani theksoi se procesi i dialogut nuk duhet lejuar të përdoret si instrument i Serbisë për ta minuar rrugën euroatlantike të Kosovës”.




