Osmani takon admiralin amerikan të NATO: Kosova përballet me rrezikun e “akteve destabilizuese” nga Serbia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë në një takim me një admiral amerikan të NATO-s të hënën në Prishtinë se vendi i saj përballet me “rreziqet nga aktet destabilizuese” të Serbisë”, njoftoi Presidenca kosovare.

Osmani e uroi admiralin George M. Wikoff për marrjen e detyrës së komandantit të Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, duke shprehur “besimin e saj të plotë në lidershipin e tij dhe në rolin kyç që kjo komandë luan për sigurinë euroatlantike, stabilitetin rajonal dhe paqen ndërkombëtare”.

Wikoff e pasoi admiralin Stuart B. Munsch në këtë detyrë, i cili e kreu mandatin në nëntor të vitit të kaluar.

“Presidentja Osmani konfirmoi përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit me KFOR-in he theksoi se Kosova mbetet një partner i besueshëm, i aftë dhe kontribuues për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, e përkushtuar fuqishëm ndaj vlerave të paqes, demokracisë dhe sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.

Presidenca nuk dha hollësi lidhur me pretendimet për aktet destabilizuese, por zyrtarët kosovarë e kanë akuzuar vazhdimisht Beogradin për veprime të tilla.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë kanë qenë vazhdimisht të larta në vitet e fundit, veçanërisht pas disa incidenteve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Në një sulm ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, nga një grup serbësh të armatosur, mbeti i vrarë një rreshter policie dhe tre sulmues.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiç, atëherë nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Lista Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi.

Kosova e fajëson Serbinë për sulmin dhe kërkon ekstradimin e Radoiçiçit që besohet se endet në Serbi, por Beogradi e ka mohuar të ketë pasur gisht në këtë sulm.

Një vit më vonë, një shpërthim në kanalin jetik të ujit, Ibër-Lepenc, shkaktoi dëme të mëdha, duke e penguar furnizimin me ujë për mijëra banorë dhe për sistemin e ftohjes së dy termocentralet kryesore të vendit.