Osmani shpreson që partitë të gjejnë gjuhë të përbashkët për formimin e Qeverisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së re, duke theksuar se vonesat po ndikojnë në procesin e reformave dhe vendimeve të rëndësishme për vendin.

Në një prononcim për media të mërkurën, Osmani u shpreh se tashmë është përmbyllur procesi i konstituimit të Kuvendit dhe se mandatimi i kryeministrit në detyrë është bërë në përputhje me procedurat kushtetuese.

“Tani e dini që, përkundër angazhimit tim të vazhdueshëm që të kemi konstituim të Kuvendit, ajo çështje u var nga vullneti politik i partive dhe deputetëve. Tani ai proces është përmbyllur dhe kam mandatuar kryeministrin në detyrë, të nominuar nga partia e parë”, ka thënë Osmani.

Presidentja theksoi se negociatat për formimin e koalicioneve qeverisëse janë përgjegjësi e partive politike, dhe se ajo nuk mund të ndërhyjë në to.

“Janë 15 ditë nga data e nominimit, por negociatat për koalicione bëhen vetëm mes partive politike. Si presidente nuk mund të ndërhyj, dhe nuk e di deri ku kanë arritur negociatat. Për më shumë informata duhet të japin vetë partitë”, shtoi ajo.

Osmani shprehu shpresën që partitë të gjejnë sa më shpejt një gjuhë të përbashkët, në mënyrë që vendi të ketë qeveri me mandat të plotë kushtetues.

“Sa më parë të kemi qeveri me mandat kushtetues, aq më shpejt mund të shtyjmë përpara reformat, të miratojmë buxhetin gjithëpërfshirës dhe të marrim vendime të tjera që janë të parapara nga Qeveria”, ka thënë ndër të tjera presidentja.