Nuk nevojiten ndryshime ligjore dhe se kjo çështje nuk duhet të rregullohet përmes tyre, u shpreh nënkryetari i BDI-së Bujar Osmani, në lidhje me provimin e jurisprudencës që të jepet edhe në gjuhën shqipe. Në Click Plus Osmani deklaroi se nëse rregullohet me ndryshime ligjore, automatikisht krijohet një precedent që çdo problem dhe çdo çështje të zgjidhet në këtë mënyrë.
“Ne kur e kemi miratuar ligjin për gjuhët që bazohet në amendamentin 7 të Kushtetutës kemi thënë të gjitha ligjet brenda 12 muajve, pasi të miratohet ky ligj duhet të harmonizohen, po nuk u harmonizuan brenda 12 muajve me automatizëm dominon ligji i gjuhëve, nuk është më me rëndësi nëse keni ndonjë ligj tjetër që nuk e parasheh gjuhën shqipe. Për shkak se prej këtij ligji që është universal, gjeneral të gjithë bien ligjet tjera”, tha Bujar Osmani.
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali bëri të ditur se grupi i ekspertëve është duke punuar dhe se nuk kanë dashur të ndërhyjnë derisa procesi është në zhvillim, pasi ua kanë lënë atyre zgjidhjen e problemit e më pas të ofrojnë një propozim konkret.
“Janë duke punuar gjatë ditës së nesërme do të jetë edhe një takim koordinimi dhe shpresoj që pas asaj veçmë do të fillojnë t’i konkretizojmë hapat e ardhshëm si do të veprohet më tutje. Natyrisht e kam përsëritur disa herë me këtë çështje merren ekspertë të drejtësisë kushtetuese kështu që ne si politikanë nuk na takon të ndërhyjmë në proces ua kemi lënë në dorë atyre ato do ta zgjidhin problemin”, deklaroi Bekim Sali.
Ndryshe, kanë kaluar një muaj prej kur u mbajt protesta e studentëve, të cilët kërkojnë që provimin e jurisprudencës të mund ta japin edhe në gjuhën shqipe. Deri më tani nuk ka një zgjidhje të kësaj çështjeje nga autoritetet kompetente, përveç pohimeve se po punohet në këtë drejtim. Studentët nuk e kanë përjashtuar mundësinë edhe për një protestë tjetër./TV21





