Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-kryeparlamentarit dhe akademikut Nexhat Daci, duke shprehur pikëllimin e saj dhe ngushëllimet për familjen dhe bashkëpunëtorët e tij.
“Akademik Daci ishte një personalitet i rrallë, i cili bashkoi dijen shkencore, përkushtimin akademik dhe angazhimin institucional, duke lënë gjurmë të pashlyeshme si Kryetar i Kuvendit, deputet, akademik dhe udhëheqës i institucioneve shkencore të vendit”, thuhet në reagimin e Osmanit.
Presidentja shtoi se Daci ishte bashkëpunëtor i afërt i presidentit historik Ibrahim Rugova.
“Akademik Nexhat Daci u angazhua fuqishëm në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi, si bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Me dije, maturi dhe vizion, ai dha një kontribut të çmuar në vendosjen e themeleve të forta të shtetit të Kosovës”, ka theksuar Osmani.
Presidentja përfundoi reagimin me ngushëllime për të gjithë ata që e njohën.
“Në këto çaste të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Daci, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të. I përhershëm qoftë kujtimi për Akademik Nexhat Dacin!”. /Telegrafi/




