Osmani: Raporti i KE-së tregoi progres pozitiv për Maqedoninë e Veriut

Komisioni Evropian, në Raportin e ri për progresin e Maqedonisë së Veriut për vitin 2022 që u prezantua sot në Bruksel, vë në dukje progresin pozitiv për vendin për vitin 2022, kështu sipas shefit të diplomacisë, Bujar Osmani.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Osmani thekson se Raporti i KE-së është pozitiv dhe paraqet një udhërrëfyes të qartë për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe institucionet e saj për zbatimin e mëtutjeshëm të reformave të brendshme.

“Mbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare në korrik 2022 përfaqëson një moment historik dhe shënon fazën e re në procesin e anëtarësimit në BE. Progres shumë i mirë me përafrimin e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë pas agresionit rus kundër Ukrainës. Në fushën e bashkëpunimit rajonal, vendi mban marrëdhënie të mira bilaterale me vendet e tjera të rajonit dhe vazhdon të angazhohet në iniciativa rajonale”, thekson Osmani në Raportin në pjesën e politikës së jashtme të vendit.

Raportet për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë i prezantoi sot në Parlamentin Evropian në Bruksel Komisioneri Evropian për Zgjerim, Oliver Varhei.