Policia e Kosovës e ka vendin në Interpol, ka deklaruar presidentja Vjosa Osmani në ceremoninë kryesore për shënimin e 26-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.
Osmani ka thënë se historia e Policisë së Kosovës është histori e përkushtimit dhe përballjes me sfida. Ajo e ka vlerësuar Policinë si shtyllë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
“‘Polici i shërben vendit edhe kur vetë përballet me rrezikun’. Kjo frazë e njohur e përshkruan më së miri misionin fisnik, sakrificën dhe besnikërinë ndaj atdheut nga secili prej jush. Sot në 26-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, ne kremtojmë historinë e Policisë së Kosovës, e cila është histori e kurajës, përkushtimit dhe përballjes me sfidat në për të cilat ka kaluar dhe kalon çdo ditë shteti i ynë. Policia e Kosovës është ndër shtyllat më të forta, të sovranitetit dhe integriteti tonë territorial”, ka thënë ajo, transmeton EkonomiaOnline.
“Nga ditët e para të themelimit deri më sot keni dëshmuar se nuk ka rrethanë, nuk ka krizë dhe nuk ka kërcënim që mund ta lëkund besimin tuaj ndaj Republikës. Sidomos, gjatë viteve të fundit, në periudha të ndjeshme, veçanërisht në veri të vendit, ju keni treguar profesionalizëm, guxim dhe duke garantuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve tanë pa dallim. Për këtë arsye mbetet domosdoshmëri që Kosova të anëtarësohet në Interpol dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. Sepse aty e ka vendin Policia jonë, në mesin e policive profesionale që mbrojnë paqen, rendin dhe sigurinë kudo në botë”.