Osmani për rastin “Onishçenko”: Pas hetimit të brendshëm të Qeverisë, duhet të ketë pasoja

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, tha sot se Qeveria ka kërkuar hetim të brendshëm për rastin “Onishçenko”.

Osmani konsideron se duhet të ketë pasoja për këtë rast.

“Pa dyshim se është një sulm serioz që duhet të na inkurajojë të gjithëve të fillojmë të mendojmë se ku kemi pika të dobëta dhe të ndërmarrim masa dhe këtë duhet ta bëjmë bashkërisht me partnerët ndërkombëtarë”, deklaroi Osmani lidhur me dhënien e shtetësisë maqedonase për ukrainasin, Oleksandar Onishçenko i cili është në listën e zezë të SHBA-së.

Osmani ka shprehur keqardhje për atë që ka ndodhur.

“Qeveria kërkoi hetim të brendshëm. Në momentin kur hetimi do të japë rezultatet e veta, mendoj se përfundimisht duhet të ketë pasoja”, nënvizoi Osmani.