Osmani për gazetën irlandeze: Kosova do ta padisë Serbinë për gjenocid

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova synon të padisë Serbinë për gjenocid dhe dëshiron që udhëheqësit e saj të lajnë gjynahet për krimet e kryera gjatë luftës së vitit 1998-99 dhe për shtypjen sistematike të shqiptarëve të Kosovës që i paraprinë.

Në një intervistë për gazetën “The Irish Times”, Osmani ka thënë se drejtësia për 13 mijë njerëz të vrarë, një milion të zhvendosur dhe 1600 të zhdukur, duhet të jetë themeli për marrëveshjen e kërkuar për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, e cila është kushti për anëtarësimin në BE të të dyja vendeve, njofton Klan Kosova.

“Avokatja e shkolluar në SHBA gjithashtu ka akuzuar homologun e saj në Beograd, Aleksandar Vuçiq, se ndan mendësinë ekspansioniste të Slobodan Millosheviqit, liderit nacionalist serb, lufta e të cilit ishte katalizator për luftërat që shkatërruan Jugosllavinë në vitin 1990, si dhe që ka shërbyer si ministër i informacionit”, vazhdon shkrimi i gazetës.

Osmani i ka thënë gazetës se Kosova është e gatshme të presë me vjet nëse është e nevojshme për një marrëveshje “cilësore” që siguron njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi pa ndonjë ndryshim në kufijtë e saj aktualë.

“Detyra jonë kryesore është të flasim në emër të viktimave dhe familjeve të tyre. Pra, çështja e personave të zhdukur është prioriteti ynë numër një”, ka thënë Osmani, e cila si adoleshente ka udhëtuar me qindra kilometra bashkë me shumë kosovarë të tjerë për të gjetur siguri nga shtypja brutale e serbëve”.

“Gjithashtu dëmshpërblimet e luftës për të gjitha shkatërrimet që shkaktoi Serbia në Kosovë dhe jo vetëm gjatë luftës, por që nga viti 1989, kur Millosheviqi erdhi në pushtet dhe udhëhoqi një sistem të ngjashëm me aparteidin në vendin ton. Dhe së fundmi drejtësia, e cila është një parakusht për paqen”.

Gazeta shkruan se Osmani është e bindur që këto krime, të cilat ajo i përshkruan si “përtej imagjinatës njerëzore”, përbëjnë jo vetëm spastrim etnik, por gjenocid.

“Ishte i qartë vullneti dhe qëllimi i Serbisë për shfarosjen dhe shkatërrimin e një populli bazuar në kombësinë e tij”.

“Kështu që ne do të përgatitemi si vend për të ngritur padi kundër Serbisë kurdo që ne jemi gati për këtë, ligjërisht dhe sa i përket provave… Shumica e dëshmitarëve janë ende gjallë, ka prova dhe kjo është e qartë”./KlanKosova