Osmani mirëpret Spiropalin: Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri, kyç për paqen dhe sigurinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur sot në takim Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila ndodhet në Prishtinë për të marrë pjesë në edicionin e tretë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Presidentja Osmani e ka cilësuar këtë takim si një moment domethënës të bashkëpunimit ndërinstitucional mes Kosovës dhe Shqipërisë. “Kënaqësi ta mirëpres sot Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali. Diskutuam rëndësinë e bashkëpunimit midis dy shteteve tona simotra,” ka deklaruar Osmani përmes një postimi zyrtar ne Facebook.

Gjatë takimit, fokusi ishte tek roli i grave në paqe, siguri dhe vendimmarrje, si dhe fuqizimi i partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve. Të dyja palët u dakorduan për domosdoshmërinë e koordinimit më të thelluar në çështje të sigurisë, zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit euroatlantik.

Vizita e Spiropalit në Kosovë dhe pjesëmarrja e saj në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, thekson rëndësinë e përbashkët që të dyja shtetet i kushtojnë rolit të grave në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më të barabartë në rajon.