Osmani: Me administratën Trump synojmë thellimin e bashkëpunimit

Kosovo's President Vjosa Osmani looks on while giving a press conference with President of the European Commission Ursula von der Leyen in Pristina on October 27, 2022. European Commission chief Ursula von der Leyen tours the Balkans region starting her trip in North Macedonia from where she heads to Kosovo, Albania, Bosnia, Serbia and Montenegro. All six nations are aspiring to join the European Union.,Image: 733525204, License: Rights-managed, Restrictions: , Model Release: no, Credit line: Armend NIMANI / AFP / Profimedia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se me administratën e re amerikane të presidentit Donald Trump, shteti synon të thellojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes e të investimeve strategjike.

Përmes një postimi në Facebook, ajo tha se po ashtu synohet vazhdimi i punës me Uashingtonin lidhur me forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

“Mbështetja amerikane ka qenë dhe mbetet jetike për shtetin tonë”, tha Osmani.

E para e shtetit të Kosovës po qëndron në Shtetet e Bashkuara, ku ka marrë pjesë edhe në Lutjet e Mëngjesit, por ka zhvilluar edhe takime në Departamentin e Shtetit.

Më 6 shkurt, Osmani tha se është takuar me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Brian Mast, me të cilin tha se ka biseduar për raportet mes dy vendeve, që sipas saj, është një aleancë ” e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta dhe përkushtim për paqe e siguri”.

Presidenca, ndërkaq bëri të ditur se Osmani në Uashington është takuar edhe me kongresistin Keith Self, me të cilin ka biseduar për nevojën e mbështetjes të vazhdueshme amerikane për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

“Ajo potencoi rëndësinë e partneritetit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara në përmbushjen e synimeve euroatlantike të Kosovës dhe përballjen me sfidat rajonale të sigurisë”, u tha në njoftim.

Osmani po ashtu është takuar me kongresistin Mike Lawler, me të cilin ka biseduar për forcimin e raporteve dypalëshe.

Deklaratat e presidentes Osmani për synimin që të thellohet bashkëpunimi me Uashingtonin, vijnë në kohën kur Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, është përballur me kritika nga zyrtar të administratës amerikane.

Më 3 shkurt, i dërguari amerikan amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell, tha se SHBA-së i duhen partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas tij, nuk është e tillë.

Këto deklarime të Grenellit janë bërë disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë më 9 shkurt.

Kabineti i Kurtit nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë, në lidhje me këto komente, por duke folur për një medium në Kosovë, Istogu Channel, ai përsëriti se marrëdhëdhëniet me SHBA-në janë në nivelin më të mirë – në çka reagoi sërish Grenell, duke thënë se ato në fakt nuk kanë qenë kurrë në pikë më të ulët.

Kurti ishte përballur me kritika edhe nga administrata paraprake amerikane e udhëhequr nga Joe Biden, për shkak të disa veprimeve të ndërmarra në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, të cilat lidheshin me zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, heqjen e dinarit serb nga përdorimi apo mbylljen e institucioneve serbe.

Kurti i ka justifikuar ato veprime si hapa drejt shtrirjes së sundimit të ligjit në veri dhe ka thënë se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

James O’Brien, i cili në administratën e paraardhësit të Trumpit, Joe Biden, kishte shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit, ka thënë se Kurti, me veprime të tilla, ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

Edhe pas kësaj deklarate, Kurti kishte këmbëngulur se SHBA-ja mbetet partnerja më e rëndësishme e Kosovës.