Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, sot në një konferencë për media paralajmëroi një kthesë radikale në menaxhimin e komunës, me qëllim të qartë për çrrënjosjen përfundimtare të korrupsionit i cili, siç theksoi ai, “po e ha komunën, po i ha paratë e qytetarëve dhe po i shndërron taksat e tyre në përfitime për individë”.
“Korrupsioni është rrënja e kalbur e të gjitha problemeve në Çair. Më 19 tetor ajo rrënjë do të pritet dhe do të shkatërrohet. Nuk do të lejoj të keqpërdoret as edhe një denar nga paratë e qytetarëve. Kjo nuk është e drejtë, kjo nuk është e ndershme, kjo nuk është vizion për të ardhmen,” theksoi Osmani.
Në fjalimin e tij, ai prezantoi planin “Syri i Qytetarit” të cilin e vlerësoi si mekanizmin më të fuqishëm kundër korrupsionit. Bëhet fjalë për një set prej katër reformash antikorrupsion të cilat, sipas tij, do ta shndërrojnë Çairin në komunën më transparente në shtet. Plani përfshin hapjen publike të të gjitha tenderëve me transmetim direkt dhe me video të qasshme në internet, monitorim të pavarur nga ekspertë dhe organizata joqeveritare të specializuara për antikorrupsion, arkë publike përmes së cilës çdo qytetar me një klikim do të mund t’i ndjekë të hyrat dhe shpenzimet e komunës në kohë reale dhe kontroll automatik me inteligjencë artificiale që do ta eliminojë faktorin njerëzor në keqpërdorime.
“Çairi do të jetë komuna e parë në rajon që do të zbatojë praktika të tilla evropiane. Mjaft më me marrëveshje të fshehta dhe keqpërdorime. Nga 19 tetori, çdo denar do të shkojë për qytetarët”, tha Osmani.
Kandidati theksoi se nuk do të premtojë gjëra të pamundura, por vetëm një, ndershmëri dhe transparencë. “Me mua si kryetar i komunës, Çairi do të bëhet komuna e qytetarëve, moderne, efikase dhe transparente. Do të ndërtojmë një komunë që do të jetë shembull për të gjithë shtetin. Më 19 tetor, të gjithë së bashku do të themi STOP korrupsionit në Çair”, deklaroi Osmani, duke bërë thirrje për mobilizim dhe përkrahje nga qytetarët.