Osmani: Maqedonia e Veriut nuk është vetëm fqinje e Kosovës, por edhe partnere

Në ditën që në Maqedoninë e Veriut po jepte dorëheqje kryeministri, Dimitar Kovaçevski, presidenti, Stevo Pendarovski, nisi vizitën në Kosovë. Ai u prit në takim nga presidentja Osmani.

‘’Pak shi po bie, por jo sa për të përdorur çadrën”.

Pas takimit me presidenten Osmani, Pendarovski u pyet për qëllimin e vizitës dhe nëse vizita e tij në Kosovë ka të bëjmë me zhvillimet në Maqedoninë e Veriut sa i përket Qeverisë teknike dhe zgjedhjeve të reja.

‘’Është vizitë pune. Qëllimi kryesor është që të takoj njerëzit tanë, ushtarët tanë në kuadër të misionit të KFOR-it në Pejë dhe natyrisht kur jam këtu në Kosovë duhet ta takoj kryeministrin dhe presidenten Osmani.”- deklaroi Stevo Pendarovski, President.

A ka të bëjë kjo vizitë me zgjedhjet në Maqedoni të Veriut?

“Ajo ka të bëjë me ligjin. Ne po ecim drejt zgjedhjeve dhe në 100 ditët e fundit ne duhet të kemi një Qeveri “kujdestare”. Çdo gjë është planifikuar paraprakisht”- tha Stevo Pendarovski, President.

Ndërkohë, sipas kumtesës së lëshuar nga zyra e presidentes Osmani nuk përmendet nëse palët kanë diskutuar për procesin zgjedhor në Maqedoninë e Veriut, apo nëse Pendarovski ka kërkuar mbështetje për këtë proces, por thuhet se të dy presidentët rikonfirmuan përkushtimin tyre për vazhdimin e marrëdhënieve të mira Kosovë-Maqedoni e Veriut. Presidentja Osmani citohet të ketë thënë gjatë takimit me Pendarovskin se shqiptarët në Maqedonisë së Veriut, janë urë lidhëse ndërmjet të dy shteteve dhe shtyllë e stabilitetit, por edhe e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

‘’Me mbështetjen e shteteve mike sikurse Maqedonia e Veriut, Kosova mund të avancojë në rrugën e integrimit evropian. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës është në funksion të mbrojtjes së të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim. Kosova ka dëshmuar angazhim serioz në procesin e reformave rrënjësore, ndaj meriton ta marrë statusin e vendit kandidat në BE. Maqedonia e Veriut nuk është vetëm fqinje e Kosovës, por edhe partnere në shumë procese. Procesi i integrimit evropian është prioritet që na bashkon dhe në këtë rrugë ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë njëra-tjetrën”- pohoi Vjosa Osmani, presidente e Kosovës.

Pas takimit me presidenten Osmani, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Pendarovski, u prit në takim edhe nga kryeministri, Albin Kurti.

RTV21 ka kërkuar të dijë nga zyra e presidentes Osmani dhe e kryeministrit Kurti nëse gjatë takimeve me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Pendarovski, u ka kërkuar Osmanit dhe Kurtit hejqen dorë nga një kandidat i mundshëm për president të Maqedonisë, por nuk ka marrë përgjigje. Në Maqedoninë e Veriut, përfshirja e mundshme e Lëvizjes Vetëvendosje, përmes përfaqësuesve të saj në këtë vend në zgjedhjet e Majit është parë si përpjekje për përçarjen e spektrit politik shqiptar.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, e pati kritikuar kryeministrin Kurti për përfshirjen Vetëvendosjes në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut.

“Shumë nga komuniteti ndërkombëtar kanë shprehur interesim për çfarë arsye z.Kurti ka nevojë të mbajë parti politike në Maqedoni, por tani kjo është demokracia’’- pati thënë Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Gjatë Samitit të BE-së që u mbajt para disa ditëve në Maqedoni të Veriut, kryeministri, Albin Kurti, kishte deklaruar se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet në Maqedoni.

‘’Lëvizja Vetëvendosje nuk është e regjistruar në Maqedoninë e Veriut. Ne kemi aktivist, kemi edhe zyrtarë të subjektit tonë politik në Kosovë, që vijnë nga Maqedonia e Veriut mirëpo këtu nuk kemi qendër të Vetëvendosjes formalisht të regjistruar. Andaj edhe ne si Lëvizje Vetëvendosje, nuk është se marrim pjesë këtu”- pati thënë Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Ndërkohe, kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, të dielën votohet për kryeministër në 100 ditët e fundit të Qeverisë. Njëherësh kjo do të jetë hera e parë që një shqiptar do të udhëheq me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.