Osmani: Maqedonia, e gatshme të kryesojë me OSBE-në (VIDEO)

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot mbajti një konferencë tematike në të cilën prezantoi prioritetet e kryesimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në.

Duke shpjeguar rolin e OSBE-së si një organizatë që është e përqendruar në interesat e njerëzve, njeriut të thjeshtë dhe suksesin e aktiviteteve të tyre në terren, Osmani deklaroi

“Ne këtu e dimë mirë këtë . Misioni në terren i OSBE-së në vend ka arritur rezultate të shkëlqyera dhe prania e tyre këtu, menjëherë pas pavarësisë, ka kontribuar shumë në stabilitetin tonë të brendshëm dhe zhvillimin gradual të modelit të sotëm të demokracisë funksionale multietnike. Dhe këtë e konsideroj si avantazhin tonë në kuadër të presidencës. Thënë kushtimisht si një ‘përdorues i kënaqur’, ne kemi një përvojë autentike të rëndësisë së misioneve në terren dhe pranisë së OSBE-së në rajonet që konsiderohen të kërcënuara. “

Në vijim Osmani shpjegoi marrëdhëniet jashtëzakonisht komplekse ndërkombëtare, arkitekturën e rrënuar të sigurisë së kontinentit dhe agresionin praktikisht aktiv ushtarak të një vendi anëtar ndaj një shteti tjetër anëtar të Organizatës si një sfidë e veçantë për rikthimin e funksionalitetit të vetë organizatës.

“Dhe kjo nuk është e lehtë. Është shumë e vështirë, dhe të jem i drejtpërdrejt – është gjëja më e vështirë në politikë. Të gjesh një mënyrë për të bindur dy palët në një dialog, në një bisedë dhe në jetën e zakonshme është e vështirë, kurse në politikë edhe më e vështirë. Por ka gjithmonë një por; pa marrë parasysh se sa palët janë të mbyllur në llogoret e tyre politike, njerëzit e thjeshtë, qytetarët, civilët – ata duan paqe dhe stabilitet! Dhe ky është pozicioni ynë fillestar – njerëzit; është e gjitha për njerëzit! Nëse është e nevojshme, ne do të shkojmë drejtpërdrejt te njerëzit në terren për ta marrë atë mesazh dhe për ta futur në marrëdhëniet diplomatike, në marrëdhëniet ndërkombëtare”, sqaroi Osmani.

Osmani bëri të ditur se më 12 janar në Vjenë, Maqedonia e Veriut do të takohet zyrtarisht me përfaqësuesit e të 57 vendeve në rolin e kryesuesit të OSBE-së, pas së cilës, siç paralajmëroi, vendi i parë që do të vizitojë si kryesues do të jetë Ukraina.