Osmani: Le të jetë kjo stërvitje tregues se sa e fuqishme është aleanca jonë me ShBA-në

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila është duke marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së ushtrimit më të madh ushtarak ndërkombëtar “Defender Europe ’23”, ka thënë se kjo stërvitje është historike sidomos për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Osmani tha se FSK-ja në këtë stërvitje ushtarake merr pjesë krahas ushtrive të ndryshme ndërkombëtare, mirëpo, sipas saj, të gjithë janë të bashkuar në një kauzë të vetme, atë të sigurimit të paqes.

“Në këtë stërvitje ndërkombëtare ju jeni krahas ushtrive të kombeve të ndryshme, megjithatë qëndrojmë të bashkuar në një kauzë të vetme, sigurimi i paqes… Ju jeni mishërimi i punës në grup duke kapërcyer kufijtë, duke punuar së bashku në ruajtjen e paqes së vendit”, ka thënë Osmani.

Osmani tha se objektivi i kësaj stërvitjeje është të shfaqë aftësinë ushtarake të forcave aleate ndaj agresorit, njofton Klankosova.tv.

“Ushtarë të forcave mike dhe të FSK-së sot të do ta kurorëzoni angazhimin tuaj maksimal gjatë fazës së gjatë përgatitore. Kam besim e plotë në aftësitë dhe kapacitetet e juaja profesionale dhe nivelin e forcës e qëndrueshmërisë. Le të shërbejë kjo stërvitje ndërkombëtare si një dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit. Le të jetë tregues se sa e fuqishme është aleanca jonë me ShBA-në”, ka shtuar Osmani.

Ajo foli edhe për figurën e Skënderbeut, emri i të cilit i është vënë sheshit ku po mbahet kjo ceremoni. Osmani tha se Skënderbeu është hero jo veç i Kosovës e Shqipërisë, por edhe i Evropës, pasi, sipas saj, si strateg i madh ndihmoi në mbrojtën e vlerave të kombit dhe Evropës.

Osmani theksoi edhe rëndësinë e figurës së Ibrahim Rugovës, vizioni i të cilit, sipas saj, ishte mishërimi i vlerave perëndimore e euroatlantike.

Ndër të tjera Osmani foli edhe për kontributin që dhanë dëshmorët në sigurimin e lirisë së vendit.

Ajo tha se në një mjedis kaq të ndjeshëm të sigurisë, ku kërcënimet bëhen çdo ditë e më komplekse, bashkëpunimi me aleatët është i domosdoshëm.