Osmani: Kosova vazhdon përkushtimin për rrugën drejt BE-së

Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova vazhdon përkushtimin për të ecur përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian, teksa ka falënderuar shtetet anëtare për mbështetjen në heqjen e të gjitha masave financiare të BE-së ndaj Kosovës.

Osmani ka thënë se mirëpret konfirmimin nga Komisioni se vendimi për heqjen e të gjitha masave ka nisur së zbatuari.

“Falënderoj Komisionin dhe të gjithë partnerët tanë nga shtetet anëtare për mbështetjen e tyre në mbylljen e kësaj çështjeje, e cila rezultoi në heqjen e masave të padrejta që ndikuan negativisht në jetën e popullit të Kosovës. Kosova mbetet e përkushtuar për të bashkëpunuar ngushtë me BE-në dhe për të ecur përpara në rrugën tonë drejt marrjes së statusit të vendit kandidat të BE-së”, ka shkruar ajo në X.

Në një debat në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian lidhur me raportin për Kosovën të martën është konfirmuar nga Komisioni Evropian se tashmë janë liruar të gjitha mjetet financiare që ishin të bllokuara për shkak të masave ndaj Kosovës.

Masat ndaj Kosovës janë vendosur në qershor të vitit 2023, pasi në veri të vendit ishin rritur tensionet.
BE-ja për këtë pati fajësuar institucionet e Kosovës, pasi paraprakisht kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe ishin vendosur në ndërtesat kryesore komunale. Kjo pati nxitur protesta të mëdha, sidomos në Zveçan, ku më 29 maj 2023 ishin lënduar rreth 100 ushtarë të KFOR-it, disa rëndë. Udhëheqës institucionalë në Kosovë në vazhdimësi kanë kërkuar heqjen e tyre, meqë situata në veri ndërkohë ishte qetësuar.

Heqja graduale e masave nisi vitin e shkuar. E më 18 dhjetor 2025, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shkruar në rrjetin “X” se BE-ja do t’i heqë të gjitha masat pasi kalimi i pushtetit lokal në veri pas zgjedhjeve të fundit lokale është zhvilluar në mënyrë paqësore.