Osmani: Kosova është vendi më pro amerikan në botë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me dy senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters tha se marrëdhënia mes Kosovës dhe SHBA-ve nuk është vetëm e rëndësishme, por është ekzistenciale.

Ajo në një konferencë për media deklaroi se në kohën kur arkitektura e Evropës po sfidohet nga mendësi autokratike, Kosova gjendet krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke theksuar se “Kosova me krenari është vendi më pro amerikan në botë”.

“Siç dëshmohet në bashkëpunime, Kosova është vendi më pro amerikan në botë me shumë krenari. Prandaj në këtë kohë ku gjithë arkitektura e Evropës po sfidohet nga mendësia autokratike, Kosova gjendet në krahë të SHBA-së. Në këtë takim shpreha nevojën për bashkëpunimin ushtarak me SHBA-në. Kam kërkuar përkrahje për integrimin e Kosovës ne organizatat ndërkombëtare. Integrimi i Kosovës është përgjigje e fuqishme ndaj atyre që dëshirojnë të na kthejnë në vitet e 90-a. I njoftova edhe për çështjen që Serbia nuk i ka zbatuar në kuadër të dialogut”, deklaroi Osmani.

Presidentja tha se shpreson që zëri i Senatit do të jetë i qartë kundër strukturave paralele që po i terrorizojnë serbët në veri.