Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës së djeshme ka vizituar Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik (STRATCOM), në Riga.
Osmani përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Kosova është dhe do të mbetet një aleate e besueshme në mbrojtje të vlerave demokratike.
“Dje, në Riga, vizitova Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik (STRATCOM)– një institucion kyç në luftën kundër kërcënimeve hibride dhe në mbrojtje të integritetit të informacionit. Diskutuam për thellimin e bashkëpunimit në ndërtimin e kapaciteteve në siguri kibernetike dhe komunikim strategjik, si pjesë e përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në NATO”, ka shkruar Osmani.
Tutje Osmani tha se gjatë vizitës në Shtëpinë e Evropës diskutuan bashkë me gra lidere dhe aktiviste në Letoni për të ndarë me to rrugëtimin e Kosovës si vend që ka përjetuar luftën.
“Por që sot avancon përpara me gratë në qendër të çdo procesi demokratik dhe të sigurisë. Vizitën e përmbyllëm në Muzeun e Okupimit të Letonisë si një moment reflektimi të thellë mbi historinë e përbashkët të qëndresës ndaj pushtimit dhe padrejtësisë. Si Kosova, ashtu edhe Letonia, mbijetuan përmes rezistencës dhe krenarisë kombëtare. Kujtesa kolektive është forca jonë – për të mos harruar të kaluarën e lavdishme dhe për të ndërtuar një të ardhme të drejtë e të sigurt”, ka shkruar Osmani.