Osmani ka mirëpritur miratimin e Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë

Presidentja Vjosa Osmani ka mirëpritur miratimin e Rezolutës së Kosovës për gjenocidin në Srebrenicë.

Përmes një shkrimi në Facebook, Osmani ka thënë se me këtë rezolutë Kuvendi e zyrtarizoi qëndrimin e institucioneve dhe të popullit të Kosovës karshi gjenocidit serb ndaj qytetarëve boshnjakë të Srebrenicës.

Për më tepër, sipas saj, nëpërmjet kësaj Rezolute dënohet mohimi i qëllimshëm e publik i krimit të gjenocidit.“Tmerri që ka përjetuar një popull i tërë në Bosnje dhe Hercegovinë, e më pas edhe në Kosovë, të dyja viktima të regjimit gjenocidal serb, duhet t’i thërrasë ndërgjegjes njerëzore që synime të tilla shfarosëse të mos lejohen më në të ardhmen, e mbi të gjitha që të ketë drejtësi për krimet e regjimit të Millosheviçit. Kohë më parë, Kuvendi i Republikës së Kosovës kishte miratuar Rezolutë edhe për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. Tani është koha që të kemi angazhim të përbashkët që të binden shtetet në përkrahje të Kosovës që të miratojnë rezoluta të ngjashme. Duke thënë të vërtetën, ne ndihmojmë në shërimin e plagëve të thella të luftës. E krimet e kryera nga regjimi i atëhershëm serb duhet të quhen me emrin e tyre të vërtetë: gjenocid”, ka shkruar Osmani./21Media