Osmani: Familja Jashari është shndërruar në ikonë për secilin shqiptar

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë sot në Akademinë Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.

Në një fjalë rasti, ajo ka thënë se familja Jashari është shndërruar në ikonë për secilin shqiptar.

“Kryengritësi para të cilit përkulemi sot, betejën e nisi nga shtëpia e tij. Sulmet e vazhdueshme të familjes Jashari dëshmonin synimet gjenocidale te regjimit serb. Familja Jashari ishte i gjithë populli liridashës i Kosovës”.

“Kur në dhjetorin e vitit 1997 shtëpia e Shaban Jasharit u sulmua nga forcat serbe, Presidenti Ibrahim Rugova bënte thirrje që të gjithë ta mbronin pragun e shtëpisë”.

“Në atë kohë raportonte gazetari i atëhershëm Enver Maloku duke përshkruar skenat e tmerrshme që po ndodhin në Prekaz”.

“22 vjet pas, ne frymojmë lirshëm; ndërsa familja Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jasharin është shndërruar në ikonë për secilin shqiptar”.

“Sot ne jo vetëm që i kujtojmë, por edhe jemi krenar që kjo familje është përtërirë. Ata tashmë shikojnë kah e ardhmja – ata presin për një Kosovë më të mirë dhe ne e kemi obligim që ta bëjmë atë”.

“Secili duhet të dijë që respekti ndaj atyre që ranë për këtë vend nuk është vetëm obligim, por është traditë. Nderimi më i madh që mund t’ua bëjmë atyre është duke punuar me nder e përgjegjësi për këtë vend – kjo do të jetë përmbushje e amanetit të Adem Jasharit dhe këtë mund ta bëjmë vetëm bashkërisht”.

Kjo ngjarje është zhvilluar në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.