Osmani e bindur që dekreti është në përputhje me kushtetutën: Megjithatë s’jam pejgambere

Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka thënë se është e bindur që Gjykata Kushtetuese do të vendosë në përputhje me dekretin e saj për shpërndarjen e Kuvendit, por nëse jo potencoi se e pret pasi siç tha – nuk jam pejgambere të mos bëjë asnjëherë gabime.

“Ne jemi të bindur se dekreti është në përputhje të plotë me Kushtetutën. Unë nuk jam pejgambere të mos bëjë asnjëherë gabime. Prandaj ekziston Gjykata Kushtetuese, prandaj ka ekzistuar gjithnjë. Edhe për këtë kryeministër ka me dhjetëra herë kur është vendosur se e ka shkelur kushtetutën. Nuk është vendim i imi është vetëm formalizim që e ka krijuar Kuvendi i Kosovës, jo unë”, ka thënë presidentja Osmani në një intervistë për median e Shqipërisë, TV Syri.

Presidentja Osmani ka përsëritur që nuk ka pasur ndonjë interes personal e as nervozizëm të momentit kur e nënshkroi dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

“Ishte e qartë që Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka dashur kandidaturën time dhe unë e kam pranuar. Nuk ka nervozizëm të momentit. Nuk kam as interes personal. Më shumë do të më konvenonte afati 60 ditësh sepse do të kisha pasur kohë t’i ftoja sërish partitë politike, duke filluar nga ajo më e madhja, Lëvizja Vetëvendosje. Unë veprova ashtu siç e kërkon kushtetuta”, ka thënë presidentja Osmani.