Osmani: Do të siguroj 15 milionë euro për Çairin nga BE-ja

Kandidati i AKI-së për kryetar komune në Çair, Bujar Osmani thotë se kjo komunë deri tani nuk ka marrë grante nga BE-ja, teksa premtoi që nëse bëhet kryetar komune të njëjtat do t’i sigurojë. Sipas tij Çairi nuk ka nevojë për kredi me të cilën rëndohen qytetarët por për grante të cilat mbulojnë 85% të kostove, të cilat nuk kthehen nga taksapaguesit. Ai bëri të ditur se prioritet për këto fonde do të jenë shkollat, parku i Çairit, Çarshia, biblioteka të reja dhe qendra rinore.
“Kemi projektuar se vetëm në mandatin e parë në katër vitet e ardhshme sigurojmë 15 milionë euro fonde nga Bashkimi Evropian. Dhe këtë do e bëj si kryetar i komunës së Çairit. Do të ketë zyrë të Bashkimit Evropian në komunën e Çairit, me ekspertë që punojnë vetëm për përgatitjen e projekteve sipas manualit të BE-së. Prag, Procurementen Grants, Tuinning, Uestern Balkan Investment. Do të jenë prioritete shkollat, rinovimi, rinovimi me efikasitet energjetik, pajisje digjitale përmes IPA-3 programit”, tha Bujar Osmani, kandidat për kryetar komune në Çair, AKI.