Osmani: Do të mbështesim SHBA-të për t’i dhënë fund regjimit në Iran

Kosova, sipas presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, qëndron pa kompromis pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mbrojtjes të lirisë, paqes, sigurisë dhe stabilitetit

“Ka ardhur ora e lirisë për popullin e Iranit, falë udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Donald Trump”, ka shkruar ajo në platformën sociale, X.

Osmani ndër të tjera ka potencuar se Kosova dënon fuqishëm sulmet e regjimit iranian ndaj aleatëve të Kosovës në Lindjen e Mesme.

“Do të vazhdojmë të mbështesim veprimet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë për të vendosur një fund për regjimin iranian dhe për të dhënë një mundësi të vërtetë lirisë dhe paqes”.

Gjatë ditës edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, ka mbështetur sulmin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër regjimit të Ajatollahëve në Iran.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë një sulm ushtarak ndaj regjimit të Ajatollahëve në Iran, një regjim që për dekada ka shtypur popullin e vet, ka destabilizuar rajonin dhe ka kërcënuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës për media, Kosova, në këtë situatë, është krah presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, “në përpjekjen për të frenuar regjimet që kërcënojnë popujt e lirë, për të mbrojtur stabilitetin global dhe për të mbështetur aspiratat legjitime të popullit iranian për liri, dinjitet dhe demokraci”.

“Regjimet që shtypin qytetarët e tyre, që mbështesin dhunën ndaj vendeve demokratike dhe që kërcënojnë popuj të tjerë, nuk mund të jenë faktor paqeje. Liria, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë vlera universale që meritojnë mbrojtje të palëkundur. Qëndrojmë të vendosur kundër regjimit iranian dhe në mbështetje të Presidentit Trump, duke u solidarizuar me popullin iranian për një të ardhme të lirë dhe demokratike”.

Izraeli nisi atë që e ka quajtur “sulm parandalues” kundër Iranit mëngjesin e së shtunës.

Ministri Izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka shpallur një “gjendje të jashtëzakonshme të veçantë” në të gjithë Izraelin.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka konfirmuar se SHBA-ja është i përfshirë në sulmin ndaj Iranit.

Në anën tjetër ushtria izraelite ka bërë të ditur se Irani ka nisur të kundërpërgjigjet me raketa në drejtim të shtetit të Izraelit, dhe për shpërthime është raportuar edhe në Bahrejn dhe Katar.