Osmani: Dialogut i nevojitet një “reset”, idetë për ndryshimin e kufijve janë të rrezikshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kundërshtuar ashpër idetë për ndryshim të kufijve në Ballkanin Perëndimor. Duke e quajtur aventurë të rrezikshme të shekullit të kaluar, e para e shtetit tha se edhe procesi i dialogut me Serbinë ka nevojë për në “reset” dhe se nuk do të jetë thjeshtë një vazhdimësi e së kaluarës.

– Advertisements –

Pas takimit me kryediplomatit gjerman, Heiko Maas, Osmani tha se prioriteti momental i institucioneve kosovare është menaxhimi me pandeminë dhe sigurimi i vaksinave.

Përmes një konference të përbashkët për medie, Osmani iu bëri thirrje vendeve të BE-së ta ndjekin shembullin e Gjermanisë për ta mbështetur Kosovën në liberalizimin e vizave. Derisa theksoi se Kosova ka qëndruar lojale ndaj BE-së dhe ShBA-së duke mos pranuar vaksina nga Rusia

“Si institucione të Kosovës e informova ministrin që ne do të vazhdojmë të ngrisim zërin dhe të bëjmë çmos që të ketë drejtësi për gjitha këto viktima. Për ne ky proces i dialogut ka nevojë për një ‘reset’, pra nuk është thjeshtë një vazhdimësi dhe të gjitha institucionet tona vëmendshëm do të shqyrtojnë secilën marrëveshje të arritur, secilin dokument të shqyrtuar deri më tani. Do të zhvillojmë një dialog të bazuar në parime të qarta”, tha ajo.

E pyetur për “non paper” që ka dal nga mediet sllovene për rivizatim të kufijve, e para e shtetit tha se kanë kontaktuar autoritetet sllovene dhe sipas tyre ky lajm nuk është i vërtet.

Megjithatë, ajo tha se vizatimi i kufijve në rajon në baza etnike është i rrezikshëm dhe në kundërshtim me vlerat evropiane.

“Përgjigja që kemi marrë nga autoritetet sllovene është se një lajm i tillë nuk është i vërtet. Megjithatë ne e kemi ritheksuar dhe do ta theksojë vazhdimisht se ide të tilla janë të rrezikshme jo vetëm për Kosovën dhe rajonin, por përtej rajonit dhe i takojnë shekullit 18. Andaj nuk duhej të gjenden vend në Evropë dhe kudo sepse vizatimi i kufijve në baza etnike është në kundërshtim me vlerat evropiane që qëndron BE-ja”, u shpreh Osmani.

Duke i përmendur katër arsyet e ndikimit rus në rajon, Osmani tha se Kosova ka treguar orientimin e vet euro-atlantik, duke mos pranuar vaksina nga Rusia.

“Ndikimi rus në rajonin tonë vazhdon të jetë i mundur nëpërmjet Serbisë. Ky ndikim kryesisht është bërë në katër fronte kryesore. I pari i natyrës ekonomike, i dyti i natyrës politike për shkak të ndikimit të madh që e ka në politikat serbe. I treti i natyrës ushtarake dhe kjo dëshmohet me furnizimet që Serbia i merr nga Rusia dhe e katërta është kjo e fundit përmes vaksinave. Kosova i ka qëndruar besnike orientimit të saj pro-perëndimor, i ka qëndruar lojale BE-së dhe ShBA-së duke mos pranuar vaksina nga Rusia”, u shpreh ajo.

Krahas këtyre, Osmani kërkoi vendimmarrjen sa më të shpejtë të BE-së edhe për liberalizim të vizave për Kosovën.

Osmani: Vendet e BE-së ta ndjek shembullin e Gjermanisë për liberalizim të vizave

Video:24:45

“Sa i përket liberalizimit të vizave secili qytetarë i Kosovës është i zhgënjyer sepse janë bërë tashmë disa vite që kur Komisioni Evropian ka konfirmuar gjitha kushtet, edhe pse kishte dyfish kushte më shumë se shtetet e rajonit. Parlamenti evropian me dy të tretat ka përkrahur këtë rekomandim të komisionit dhe atë jo vetëm një herë, por disa herë. Andaj ka ardhur koha që shtetet anëtare që kanë dyshime të ndjekin shembullin e Gjermanisë në mënyrë që të gjitha sa më parë që të jetë e mundur ta përkrahin liberalizimin e vizave për Kosovën. Kjo në radhë të parë do ta dëshmonte përkushtimin e BE-së në raport me gjithë rajonin tonë, në radhë të dytë do të tregonte se i trajton gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor njësoj dhe se qytetarët e Kosovës ndihen se nuk po trajtohen njësojë sepse edhe procesi po trajtohet ndryshe, nga qysh është trajtuar shtetet tjera. Së treti liberalizimi i vizave për Kosovën do ta ngriste edhe vet kredibilitetin e BE-së në përgjithësi”, tha ajo.