Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka dekoruar të mërkurën presidentin e Federatës Botërore të Futbollit (FIFA), Gianni Infantino me medalje nderi për kontributin e tij në avancimin e rrugës së futbollistëve kosovarë në skenën ndërkombëtare.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimit në Prishtinë, Osmani ka thënë se loja e futbollit e ka mbajtur të gjallë shpirtin e shumë fëmijëve qysh prej kohës së luftës në Kosovë më 1999.
“Nën udhëheqjen tuaj, FIFA është bërë familje me shumë kombe. Kjo për Kosovën ka pasur rëndësi jetike. Ju u keni ndihmuar lojtarëve tanë që ta bartin flamurin tonë duke garuar me krenari në skenat ndërkombëtare”, ka thënë Osmani.
Presidenca e ka përshkruar Infantinon si “mik të vërtetë të futbollit” dhe “mik të vërtetë të Kosovës”.
Infantino ka thënë se është i nderuar me medaljen dhe e ka përmendur se prej kur është ngjitur të krye të FIFA-s, e ka pasur të qartë se Kosova do të duhej të pranohej në organizatë, për shkak të përkushtimit që kishte treguar vendi ndër vite.
“Futbolli i bashkon popujt, e bashkon vendin dhe e bën pjesë të një lëvizjeje në Evropë, dhe i bën vajzat dhe djemtë të ëndërrojnë dhe shpresojnë në të ardhmen e tyre”, ka thënë Infantino.
Ai e ka ftuar në skenë ekipin e Kombëtares së Kosovës dhe i ka ftuar të gjithë që të besojnë dhe investojnë në djemtë e ekipit.
Përgjatë ceremonisë, si Osmani, ashtu edhe Infantino e kanë përmendur punën e madhe që ka bërë ish-futbollisti i ndjerë, Fadil Vokrri – në kapacitetin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës – për të avancuar rrugën e futbollit të lojtarëve kosovarë në skenat botërore.
“Do të doja t’ia dedikoja këtë medalje, këtë nder, Fadil Vokrrit. Fadil Vokrrrit dhe gjithë popullit të Kosovës, brenda dhe jashtë Kosovës. E kam takuar Fadilin shumë herë dhe më kujtohet që kur Kosova ishte një vend i ri, sapo kishte lindur, Federata e Futbollit dëshironte të bëhej pjesë e UEFA-s, ku isha unë atëherë, dhe ishte disi pak e vështirë të takohej me dikë prej Kosovës si vend i ri. Më thanë shko dhe takohu me Fadil Vokrrin dhe e takova, diskutuam. Isha përgjegjës edhe për departamentin ligjor të UEFA-s në atë kohë. Po diskutonim për statusin, rregulloret, gjëra të tilla. U deshën vite të tëra. Një herë i thashë, jemi takuar mjaftueshëm, do të shohim çfarë do të ndodhë. Atëherë e kuptova qëndrueshmërinë, rezistencën dhe guximin e popullit të Kosovës që besonte në atë që donte dhe kjo e solli anëtarësimin efektiv në UEFA dhe FIFA”, ka deklaruar Infantino.
Gianni Infantino po e viziton Kosovën për herë të dytë, pas vizitës së tij të parë në shtator 2022, kur ishte takuar me krerët e shtetit, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Kosova u pranua në FIFA vetëm pak muaj pasi Infantino u zgjodh për herë të parë president i saj, në fillim të vitit 2016.
Prej pranimit në organin qeverisës së futbollit botëror, Federata e Futbollit e Kosovës pranon ndihmë financiare prej saj çdo vit përmes programeve për ndërtimin e infrastrukturës, zhvillimin e futbollit të grave, akademitë e të rinjve dhe ngritjen e standardeve profesionale.
Nëntë vjet pas pranimit në FIFA, Kosova është ende në kërkim të kualifikimit për një garë të madhe ndërkombëtare, siç është Kupa e Botës apo Kampionati Evropian.
Ajo tani po lufton për një vend në Kupën e Botës 2026 – që zhvillohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara – dhe do të përballet me Slloveninë në kualifikime të premten, dy ditë pas vizitës së Infantinos.
Kosova është në vendin e dytë në Grupin B kualifikues me tre pikë pas dy ndeshjeve, prapa lideres, Zvicrës, që i ka gjashtë.
Suedia dhe Sllovenia janë në dy vendet e fundit me nga një pikë secila.
Fituesi i grupit shkon direkt në Botërorin 2026, ndërsa vendi i dytë luan në play-off./rel