Osmani: Bashkë me kohë, kemi humbur edhe shumë mundësi për shtetin

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nuk ka pasur unanimitet te partitë politike për çështjen e mandatarin, e as gatishmëri për atë të Buxhetit 2026.

Ajo ka thënë se disa prej liderëve partiakë shprehën se nuk mund ta krijonin shumicën, e disa që dëshirojnë kohë për të parë mundësinë e propozimit të një mandatari të ri.

“Nuk kishte unanimitet të plotë rreth asaj që a mund të ketë mandatar tjetër apo jo. Kërkova një rrugë me dakordim të partive për procedim të buxhetit dhe Planit të Rritjes. Nuk kishte gatishmëri nga një numër i madh për procedim të buxhetit, por unë propozova që të shikojmë mundësi të tjera kushtetuese që është zgjatja buxhetore që së paku deri më 31 mars 2026 qytetarët të mos përballem me situatë ku nuk kanë paga dhe mirëqenie. Kjo çështje nga disa u shqyrtua, do të jem në kontakt me partitë nëse ekziston një mundësi e tillë”, ka thënë ajo.

Osmani ka kërkuar reflektim nga liderët e partive politike në rast se nuk ka mandatar të dytë.

“Kryetari i LVV ka kërkuar që të më takoj edhe një herë para se të skadojë afati 10 ditor dhe pas konsultimeve brenda partisë do vijë me propozim apo jo, por ne e kemi detyrim kushtetues t’i respektojmë afatet. Bashkë me kohën kemi humbur edhe shumë mundësi për vendin tonë”.