Osmani: 13 mijë viktimat e luftës janë dëshmi se Serbia deshi të na zhdukë nga faqja e dheut

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar viktimat e gjenocidit.

Osmani tha se ky është një moment reflektimi për çmimin e lartë që Kosova e ka paguar për liri.

Ajo theksoi se 13 mijë viktimat e luftës janë dëshmi e qartë se Serbia ka pasur për qëllim të na zhdukë nga faqja e dheut.

“Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit, 9 dhjetori, është moment reflektimi për rrugën e vështirë, nëpër të cilën kemi kaluar dhe çmimin e lartë që kemi paguar për lirinë tonë. Ne nuk mund t’ia kthejmë shpinën të kaluarës sonë. Do ta kujtojmë atë si një preventivë që gjërat e tilla të mos përsëriten në cilindo cep të globit. E parandalimi ka parakusht drejtësinë. Akte gjenocidi nga Serbia ndodhën në sytë e botës. Janë mbi 13 mijë të vrarë në luftën e fundit në Kosovë, për të cilët sot ndiejmë dhimbje, para të cilëve përkulemi dhe të cilët do të kujtohen përherë. Ata janë dëshmi e krimit të gjenocidit dhe e qëllimit të qartë të Serbisë për të na zhdukur nga faqja e dheut”.

E para e shtetit të Kosovës ka folur për Masakrën e Poklekut, në mesin e të cilëve ishin 24 fëmijë.

“Një nga shumë rastet që dëshmon këtë qëllim shfarosës është masakra e Poklekut. Gjurmë të gjakut të 54 civilëve të vrarë në Masakrën e Poklekut, në mesin e të cilëve 24 fëmijë, ende janë të freskëta në bodrumin e shtëpisë, në të cilën së pari u vranë, pastaj u dogjën dy herë radhazi. Trupat e njomë të fëmijëve, bashkë me familjet e tyre, ishin bërë shkrumb e hi, për ta bërë të pamundur identifikimin e për ta fshehur krimin mizor. Ky krim kishte një qëllim të qartë: zhdukjen e popullit tonë nga faqja e dheut. Shfarosje e qëllimshme që përbën elementin kryesor të gjenocidit. Fëmijët e vrarë ishin të moshës gjashtë muajshe e deri në 17 vjeç”.

“Ne që po e gëzojmë lirinë na mbetet mision që ta bëjmë të pamundurën që kryerësit e këtij akti makabër dhe shumë masakrave të tjera të dalin para drejtësisë”.