Organizatorët e protestës shqiptare i reagojnë Çavkovit: Ne bëmë protesta paqësore!

Ish Ministri i brendshëm dhe drejtor i Byrosë për siguri publike, Mitko Çavkov ka dëshmuar në seancën gjyqësore për ngjarjet e 27 prillit 2017 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Çavkov tha, se edhe pse është anëtarë i VMRO-DPMNE-së, asnjëherë nuk ka kryer ndonjë funksion në parti. I ka hedhur poshtë të gjitha dëshmitë për lëndën e parë për ngjarjet e njëjta, se ai më 27 prill ka qëndruar në selinë e partisë.

Në serinë e pyetjeve nga gjykatësi Ilija Trpkov, për përgjegjësinë dhe masat e ndërmarra gjatë kohës së sulmit në Kuvend, Çavkov tha se nuk ka pasur gabime në dhënien e urdhrave, por ndoshta ka pasur lëshime të cilat kanë ndodhur në çdo protestë.
Duke sqaruar se për çfarë lëshime e ka fjalën, Çavkov tha se lëshime të tilla janë bërë edhe në protestën e fundit për “Monstrën”.

“U përmbushën të gjitha kushtet, por policia nuk intervenoi në protestën e “Monstrës”, tha Çavkov.

Ndaj këtij qëndrimi të Çavkovit kanë reaguar organizatorët e protestës.

“Protestat e 29 majit kanë dallim nga protestat tuaja, ju përdorët dhunë, ne bëmë protestë paqësore. Ju kryet sulme terroriste për të marrë institucionet në mënyrë të dhunshme, ndërsa ne kërkojmë të zbardhen rastet e montuara nga VMRO-DPMNE”, thuhet në reagimin e Blerim Ahmedit, organizator i protestës.