Pretendimi i Ministrisë së Drejtësisë se në vazhdimësi ka konsultime me sektorin civil në procesin e hartimit të Kodit të ri Zgjedhor është pjesërisht i vërtetë pasi organizatat e shoqërisë civile nuk janë të përfshira në mënyrë aktive, gjegjësisht nuk janë pjesë e grupit punues për hartimin e ri të Kodit Zgjedhor në Maqedoninë e Veriut. Organizatat joqeveritare vlerësojnë se një proces kaq delikat siç janë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, kërkon qasje transparente dhe gjithëpërfshirëse të shoqërisë për të qenë procesi më i besueshëm dhe kredibil. Në këtë proces nuk janë të përfshira aktivisht as iniciativat e pavarura, gjë që sipas tyre është e papranueshe sepse ata tani e disa vite janë pjesë e cikleve zgjedhore, shkruan Portalb.mk.
Aktualisht grupi punues për reformat në Kodin Zgjedhor përbëhet nga përfaqësues të partive parlamentare dhe deputetë të pavarur. Organizatat joqeveritare që punojnë për monitorimin e proceseve zgjedhore janë lënë jashtë grupit punues me mundësi të dërgojnë dhe prezantojnë rekomandimet e tyre tek ata. Në një nga takimet e Këshillit për Bashkëpunim që Qeverisë me Sektorin e Shoqërisë Civile me kërkesë të organizatave, Këshilli përgatiti një kërkesë zyrtare drejtuar Ministrisë së Drejtësisë për “përfshirje aktive të organizatave të shoqërisë civile pasi kjo është e nevojshme në ndryshimin e legjislacionit zgjedhor.”
“Këshilli për Bashkëpunim midis Qeverisë dhe Shoqërisë Civile rekomandon që kur të hapet procesi për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor, grupi i punës i koordinuar nga Ministria e Drejtësisë duhet të përfshijë edhe anëtarë nga organizatat e shoqërisë civile, të cilët do të emërohen nga Këshilli, pas një thirrjeje publike të shpallur më parë.” thuhet në kërkesën e diskutuar në fund të marsit në takim, e cila ka hasur në vesh të shurdhur nga Ministria e Drejtësisë.
Kjo mënyrë e veprimit është jotransparente dhe në kundërshtim me rekomandimet e OSBE/ODIHR-së alarmojnë organizatat dhe iniciativat. Nga atje shtojnë se OJQ-të, do të marrin pjesë vetëm si dëgjues dhe vëzhgues në debatet për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor dhe kjo nuk i vendos në pozitë të barabartë me partitë politike.
Një situatë e tillë, shton dilemën për transparencë gjatë procesit.
Jotransparencë dhe përfshirje për sy e faqe

Kryetari i Qendrës për Liri, CIVIL, Xhabir Deralla, për Portalb.mk tha se para së gjithash, varet se sa do ta lexojë “grupi punues” dokumentin gjithëpërfshirës të përgatitur nga Grupi Punues për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, i cili u formua gjatë mandatit të ish-Ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, dhe u drejtua nga një nga autoritetet më të mëdha në këtë fushë, Aleksandar Novakoski.
“Mospërfshirja e shoqërisë civile nuk është thjesht anashkalim i një formaliteti. Në një proces kaq delikat dhe të rëndësishëm, kjo do të thotë mungesë transparence dhe mbyllje e plotë e qeverisë ndaj çështjeve me interes të lartë publik. Dhe kjo padyshim sinjalizon mungesë interesi për rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, sepse një nga rekomandimet e rëndësishme të këtij institucioni ndërkombëtar është përfshirja e organizatave të shoqërisë civile. Rekomandimet më të rëndësishme që CIVIL i dha Grupit të Punës lidhen me financimin politik. Si atëherë ashtu edhe tani, CIVIL është i mendimit se mënyra aktuale e rregullimit të kësaj sfere, në fakt, përfaqëson vetëm korrupsion të legalizuar të medias dhe asgjë më shumë”, u shpreh Deralla.
Sipas tij, disa nga rekomandimet që ata i kanë si organizatë lidhen me profesionalizimin dhe llogaridhënien e administratës zgjedhore, mbrojtjen dhe njohjen e vëzhgimit qytetar dhe trajtimin e ndikimit të huaj dhe kërcënimeve hibride.
“Nuk pres që asgjë nga kjo të jetë objekt i punës së grupit të punës së blinduar të qeverisë. Arsyet janë të thella dhe rrjedhin nga mënyra se si qeveria ushtron pushtetin, mungesë transparence, arrogancë dhe mungesë interesi për ndryshime reale që do të përmirësonin cilësinë e zbatimit të proceseve zgjedhore. Kjo, nga ana tjetër, çon në përfundimin se qeveria nuk është e interesuar për zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike”, deklaroi Deralla.

Iniciativat qytetare në pozitën e njëjtë me shoqërinë civile
Ashtu si shoqëria civile edhe iniciativat e pavarura qytetare janë vendosur në pozitën e njejtë dhe nuk janë pjesë e grupit punues për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Nga atje thonë se Ministria e Drejtësisë dhe partitë politike i margjinalizojnë, ani pse janë tani e disa vite pjesë e cikleve zgjedhore. Përfshirja e vetme e organizatave të shoqërisë civile ndodhi më 16 prill, kur disa nisma civile me kërkesë të tyre dhe të udhëhequra nga Biljana Ivanovska nga “Shansi për Qendrën” dhe ish-kryetare e KSHPK-së, u takuan me ministrin.
Elmedina Abdullahi, nga iniciativa “Më Mirë për Tetovën”, për Portalb.mk tha se arsyeja për takim me Ministrin e Drejtësisë, ishte shprehja e revoltës së tyre për zhvillimet e deritanishme në hartimin e ri të Kodit Zgjedhor dhe dorëzimin е kërkesave të iniciativave qytetare rreth Kodit Zgjedhor. Ajo tha se ne gjatë takimit kanë arsyetuar kërkesat е tyre, duke përfshirë edhe kërkesën që ata të jenë pjesë e grupit punues, por kjo siç tha Abdullahi, ishte vijë e kuqe nga Ministri i Drejtësisë dhe iniciativat qytetare nuk do të përfshihen në grupin punues.
“Kërkesa tona janë në kuadër të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe shembujve që kemi marrë nga vendet evropiane. Partitë politike neve na margjinalizojnë edhe pse jemi grupe serioze ku kemi marrë pjesë në disa cikle zgjedhore në tërë territorin e vendit. Prandaj kërkuam qasje të drejtpërdrejt, pasi kemi legjitimitet nga qytetarët. E gjitha që do të na mundësohet është të jemi pjesë e mbledhjes në momentin që do të shqyrtohen kërkesa tona dhe t’i arsyetojmë ato. Ne nuk kemi shpresa të mëdha se do të bëhen ndryshime ne bazë të sugjerimeve tona”, u shpreh Abdullahi.
Biljana Ivanovska nga “Shansi për Qendrën”, pas takimit me Ministrin e Drejtësisë, Igor Filkov, para mediave tha se nuk është e drejtë mospërfshirja e iniciativave qytetare, sepse ka edhe subjekte të tjera politike që janë në nivel lokal.
“Dhe meqenëse ligji do të zbatohet si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal, ne besojmë se duhet të ketë pjesëmarrje më të gjerë. Ne do ta paraqesim kërkesën tonë me shkrim dhe shpresojmë se do të pranohet”, tha Ivanovska.

Ministria e Drejtësisë: Le të dërgojnë propozime, por jo në grup punues
Ministria e Drejtësisë për Portalb.mk e pranon se organizatat dhe nismat nuk kanë kyçje aktive.
“Grupi punues për reformat në Kodin Zgjedhor përbëhet nga përfaqësues të partive parlamentare dhe deputetë të pavarur. Institucionet kompetente dhe sektori civil do të përfshihen në procesin e përgatitjes së ndryshimeve ligjore. Në takimin me Ministrin e Drejtësisë, përfaqësuesve të nismave të pavarura civile iu dhanë udhëzime të paraqesin propozimet dhe komentet e tyre, të cilat do të shqyrtohen nga grupi punues. Organizatat e shoqërisë civile gjithashtu do të jenë në gjendje të marrin pjesë në atë seancë dhe të shpjegojnë propozimet e tyre. Kjo u pranua nga ana e tyre, që do të thotë se si ata ashtu edhe institucionet kompetente do të përfshihen në proces”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Nga Ministria e Drejtësisë thonë se deri më tani kanë pranuar propozime nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), ASHMAA dhe Agjencia e Administratës dhe në periudhën në vazhdim pritet të ketë propozime nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK).
Duke i krahasuar agjencitë dhe organet shtetërore me sektorin civil nga atje shtuan se:
“Prandaj, pretendimet se organizatat e shoqërisë civile nuk janë të përfshira në reformat e legjislacionit zgjedhor janë të pabaza. Ata janë të përfshirë, duhet të japin propozime dhe t’i shpjegojnë ato në kuadër të grupit punues. Edhe kjo u pranua nga ana e tyre”, thonë në fund nga Ministria e Drejtësisë.
OSBE/ODIHR: Organizatat civile të jenë pjesë e identifikimit të paqartësive në Kodin Zgjedhor
Rekomandimet më të reja të OSBE/ODIHR për Maqedoninë e Veriut, të përditësuara pas zgjedhjeve lokale të vitit 2025 dhe raporteve të fundit të vitit 2026 theksojnë rëndësinë kritike të përfshirjes së shoqërisë civile në reformën zgjedhore. Sipas raportit përfundimtar të publikuar në prill 2026, procesi i hartimit të Kodit Zgjedhor duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent për të garantuar integritetin e procesit.
Rekomandimet kryesore për përfshirjen e OJQ-ve dhe iniciativave civile:
- Konsultime gjithëpërfshirëse dhe në kohë: ODIHR rekomandon që procesi i rishikimit të legjislacionit zgjedhor të fillojë shumë përpara zgjedhjeve të ardhshme. Ky proces duhet të përfshijë grupe pune ku OJQ-të dhe iniciativat civile kanë një rol aktiv, dhe jo vetëm formal.
- Transparenca e draft-ligjeve: Rekomandohet që të gjitha ndryshimet e propozuara të publikohen herët për diskutim publik, duke u lënë kohë të mjaftueshme organizatave monitoruese për të dhënë ekspertizën e tyre përpara se ligji të kalojë në parlament.
- Roli i OJQ-ve si “palë të treta” (Non-contestant Campaigning): Një nga rekomandimet më specifike të vitit 2026 është që Kodi Zgjedhor të mos kufizojë të drejtën e OJQ-ve për të debatuar çështje të interesit publik gjatë fushatave zgjedhore. Ato duhet të lejohen të bëjnë fushatë për çështje (issues-based campaigning) pa u penguar nga rregulla strikte financiare që vlejnë për partitë politike.
- Akreditimi dhe monitorimi: Rekomandohet thjeshtimi i procedurave të akreditimit për vëzhguesit vendas dhe garantimi i aksesit të tyre në të gjitha fazat e procesit, përfshirë edhe numërimin dhe ankimimet ligjore.
- Adresimi i “boshllëqeve ligjore”: ODIHR kërkon që organizatat civile të jenë pjesë e identifikimit të paqartësive në Kodin aktual, veçanërisht sa i përket përdorimit të burimeve shtetërore dhe financimit të fushatës.
Çfarë thonë deputetët pjesë e grupit punues?

Deputeti i LSDM-së Oliver Spasovski, i cili është edhe anëtar në grupin punues për hartimin e Kodit të ri zgjedhor, për Portalb.mk, u shpreh se pa sektorin civil, Qeveria po e shtyn procesin të jetë sa më i mbyllur dhe zgjidhjet të jenë sa më të dobëta.
Spasovski tha se këto ndryshimet nuk janë vetëm çështje ndryshimesh teknike në ligj, por një çështjeje themelore siç është Kodi Zgjedhor.
“Implikime si për transparencën ashtu edhe për cilësinë e vetë zgjidhjeve. Transparenca është e rëndësishme në demokraci. Përfshirja e shoqërisë civile është një standard në sistemet demokratike dhe pjesë e rekomandimeve të organizatave ndërkombëtare. Injorimi i këtyre standardeve dërgon një sinjal të keq për pjekurinë demokratike. Kur një qeveri krijon një klimë ku përgatiten ndryshime kyçe ligjore pa pjesëmarrjen e organizatave joqeveritare dhe ekspertëve, krijohet një perceptim se rregullat e zgjedhjeve janë ‘të përshtatura’ sipas interesave të Qeverisë. Pa përfshirjen e sektorit civil, cilësia e zgjidhjeve ligjore zvogëlohet, pasi që sektori civil në fushën zgjedhore ka grumbulluar ekspertizë për vite me radhë, nga monitorimi i zgjedhjeve deri te rekomandimet për një proces të drejtë dhe demokratik, dhe është e nevojshme të përfshihet në procesin e miratimit të Kodit Zgjedhor”, nënvizoi Spasovski.
Në fund, Spasovski tha se kjo qasje lë hapësirë për abuzim politik, ku minon besueshmërinë e të gjithë procesit zgjedhor dhe se rregullat zgjedhore duhet të jenë rezultat i një konsensusi të gjerë.
Nga ana tjetër, Arta Bilalli Zendeli, për Portalb.mk, deklaroi se në radhë të parë BDI është për përfshirje të plotë të Rekomandimeve të OSBE/ODIHR që buruan nga zgjedhjet e fundit, por edhe ato të zgjedhjeve të mëhershme që nuk janë inkorporuar.
“Sa i përket mospërfshirjes së sektorit civil, dua t’ua sjellë në vëmendje se bartës i procesit është Qeveria me anë të Ministrisë së Drejtësisë dhe atyre i’u bie barra e mospërfshirjes respektivisht përfshirjes së mangët të aktorëve relevant në hartimin e ri të Kodit Zgjedhor. Ne konsiderojmë se procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës, respektivisht të OJQ-ve të cilët luajnë rol të rëndësishëm në shoqërinë tonë dhe mospërfshirja nuk duhej të ndodhte nga ana e Qeverisë”, u shpreh Bilalli – Zendeli.
Nga VMRO-DPMNE, për Portalb.mk, u përgjigjën shkurt dhe pa shtuar detaje rreth Kodit Zgjedhor. Nga atje thanë se në Grupin e Punës për hartimin e ri të Kodit Zgjedhor, ata si parti politike marrin pjesë me ftesë të Ministrisë së Drejtësisë.
“Për informacion më të detajuar se kush merr pjesë në këto takime, do të dëshironim t’ju referonim në Ministrinë e Drejtësisë”, u shprehen nga VMRO-DPMNE.
Zekirija Taipi, nga VLEN, për Portalb.mk, ka deklaruar se brenda grupeve të punës nga të gjithë partitë politike ka ekspert që punojnë për Kodin Zgjedhor dhe gjithçka konform sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR.
“Bartës i procesit për hartimin e ri të Kodit zgjedhor është Ministria e Drejtësisë dhe për mospërfshirjen e shoqërisë civile, duhet të pyetet Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov”, u shpreh Taipi.
KSHZ: Kemi dorëzuar kërkesat tona
Nga KSHZ, për Portalb.mk, thonë se ata deri te Ministria e Drejtësisë dhe Parlamenti kanë dorëzuar propozimet e tyre me shkrim për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Mbi 20 propozimet që kemi paraqitur, janë një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj rekomandimeve nga Raporti i OSBE/ODIHR-it dhe janë të natyrës teknike dhe nga aspekti i funksionalitetit të procesit zgjedhor, si dhe nga përvojat praktike në terren.
“Qëllimi ynë kryesor është të mundësojmë zbatim më praktik dhe efikas të proceseve zgjedhore përmes zgjidhjeve specifike ligjore. Për më tepër, propozimet mbulojnë fushën e azhurnimit të të dhënave dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, me qëllim saktësi më të madhe të Listës së Zgjedhësve, si dhe segmentin kyç të financimit dhe logjistikës. Ne propozojmë një zgjidhje sistematike që KSHZ-ja t’u paguajë drejtpërdrejt tarifat organeve zgjedhore, gjë që do të kapërcente përgjithmonë problemet në komunat me llogari të bllokuara dhe do të parandalonte situatën me pagesat e tarifave me të cilën u përballëm për Zgjedhjet Lokale të vitit 2025. Disa nga rekomandimet tona kanë të bëjnë edhe me fushatën zgjedhore dhe reklamimin mediatik, KSHZ-ja propozon që pagesa për reklamimin politik të mos bëhet përmes tyre, pasi bëhet fjalë për marrëdhënie të detyrueshme midis medias dhe pjesëmarrësve, për të cilat, sipas nenit 31, KSHZ-ja nuk është kompetente, si dhe harmonizime të vazhdueshme teknike dhe procedurale në vetë Kodin Zgjedhor, me qëllim eliminimin e boshllëqeve ligjore dhe paqartësive në zbatimin e ligjit”, thanë nga KSHZ.
Nga atje kanë shtuar se KSHZ nuk është anëtare aktive e grupit të punës për hartimin e ri të Kodit Zgjedhor, por Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, shpreh gatishmërinë e tij për pjesëmarrje aktive dhe të drejtpërdrejtë.
“Presim që kur teksti i Kodit Zgjedhor të jetë drejt përfundimit, do të konsultohemi përsëri për të dhënë një mendim mbi risitë, si do të zbatohen ato dhe nëse ato janë të zbatueshme”, nënvizojnë nga atje.
Kujtojmë se më 17 gusht të vitit të kaluar Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi që dy nënshkrime nga dy zgjedhës të jenë të nevojshme që kandidatët e pavarur për këshilltarë dhe kryetarë komunash të mund të merrnin pjesë në zgjedhjet lokale që duhet u mbajtën në tetor. Zgjedhjet e rregullta lokale u mbajtën më 19 tetor 2025 (rrethi i parë) dhe 2 nëntor 2025 (rrethi i dytë). Ndërsa më 11 janar u mbajtën zgjedhjet e përsëritura në katër komuna. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, sipas asaj që është shkruar deri më tani në media kanë për fokus edhe ndryshimin e njësive zgjedhore nga gjashtë në një njësi zgjedhore, pragun elektoral dhe përfshirjen e diasporës në votim.



