Në mesin e viteve 1990, kur bota ende po adaptohej me ndryshimet e rënies së Murit të Berlinit dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, në Azi disa shtete kishin ndjerë rrezikun e të ashtuquajturave “tre forcat” sfiduese të kohës: terrorizmin, separatizmin dhe ekstremizmin. Për t’ju kundërvënë këtyre forcave destabilizuese u krijua me vullnet shtetesh individuale Organizata e Bashkëpunimit të Shangait (OBSh), e cila është një grupim vendesh me një marrëveshje të ndërsjellë sigurie .
OBSh-ja, ka hyrë në dekadën e tretë të ekziztencës dhe është organizata më e madhe rajonale e bashkëpunimit për sa i përket mbulimit gjeografik dhe popullsisë, duke përfshirë tre të pestat e kontinentit Euroaziatik, afërsisht gjysmën e popullsisë botërore dhe më shumë se 30% të PBB-së globale. Në njëzet vitet e fundit, ajo ka promovuar një rrugë bashkëpunimi që i përshtatet realitetit të rajonit, është bërë një stabilizues i kontinentit Euroaziatik dhe ka grumbulluar përvojë të çmuar për vendosjen e një rendi të drejtë dhe të barabartë rajonal dhe ndërkombëtar.
Takimi i 22-të i Këshillit të Kryetarëve të Shteteve të OBSh-së u mbajt në qytetin Samarkand, Uzbekistan më datë 16 shtator. Ky është samiti i parë i liderëve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait ku ata takohen personalisht që nga shpërthimi i COVID-19.
Sekretari i Përgjithshëm i OBSh-së Zhang Ming u shpreh se ka një radhë të gjatë shtetesh jashtë dyerve të OBSh-së dhe kjo nuk është metaforë e ekzagjeruar. Ndryshimet e thella globale që po dëshmojnë anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare, presin një lloj të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare, të bazuara në respektin, barazinë dhe përfitimin e ndërsjellë. OBSh-ja është një gjë e rrallë në botën e sotme. Bloomberg e përshkruan samitin si një “mundësi për t’u lidhur me një grup vendesh që shihen si përgjigje e rajonit ndaj aleancave të udhëhequra nga perëndimi”.
Samiti i 16 shtatorit miratoi më shumë se 40 dokumente që mbulojnë fusha si ekonomia, financat, shkenca dhe teknologjia, kultura dhe shkëmbimet mes njerëzve, ndërtimi i institucioneve dhe ndërveprimet e jashtme.
“Bota jonë sot po kalon ndryshime të përshpejtuara, të papara në një shekull dhe ajo ka hyrë në një fazë të re pasigurie dhe transformimi”, tha presidenti kinez Xi Jinping në takim. Më tej Presidenti Xi u ka bëri thirrje vendeve të OBSh-së që të forcojnë solidaritetin dhe bashkëpunimin mes ndryshimeve të paqëndrueshme në peizazhin ndërkombëtar, të mbështesin multilateralizmin e vërtetë dhe të punojnë së bashku për të përmirësuar qeverisjen globale, për të siguruar që rendi ndërkombëtar të jetë më i drejtë dhe më i balancuar.
Presidenti i Kinës u shpreh se OBSh-ja ka arritur të eksplorojë një rrugë të re për zhvillimin e organizatave ndërkombëtare dhe ka shumë për të nxjerrë nga praktikat e saj, bazuar në pesë pika që mishërojnë plotësisht Frymën e Shangait, domethënë besimin reciprok, përfitimin reciprok, barazinë, konsultimin, respektin për diversitetin e qytetërimeve dhe ndjekjen e zhvillimit të përbashkët.
Vlen të theksohet se në “Deklaratën e Samarkandit” të bërë në këtë samit, u përfshinë iniciativa për sigurinë globale e paraqitur nga pala kineze dhe përkrahja e vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait për nismën “Një brez, një rrugë”. Drejtori i Qendrës Studimore për Çështjet e Azisë Jugore e Ndërkombëtare të Islamabadit në Pakistan, Mohamud Hassan Khan u shpreh se ideja për krijimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit dhe iniciativa për zhvillim do të forcojnë bashkimin e kësaj organizate .





