Kryeministri hungarez, Viktor Orban deklaroi se “samiti i paqes për Ukrainën nuk është hequr nga agjenda”, por theksoi se “nuk do të ndodhë brenda një jave”.
“Data është e pasigurt, por samiti sigurisht do të ndodhë. Të gjithë e dinë se rusët do të bien dakord me amerikanët”, tha Orban për televizionin shtetëror hungarez të premten, raporton AP.
Ai shtoi se “problemi i vetëm është se evropianët e kanë shpallur presidentin rus si kriminel lufte dhe tani kanë vështirësi të takohen me të. Presidenti amerikan nuk ka bërë një gjë të tillë, ndaj mund të takohet me presidentin rus në çdo moment”.
Sipas tij, “evropianët janë të shqetësuar sepse ne duhet të negociojmë edhe me rusët”.
Orbani, i njohur si kritik i ashpër i Bashkimit Evropian dhe aleat i ish-presidentit amerikan Donald Trump, konsiderohet si partneri më i afërt i Vladimir Putinit brenda BE-së. Ai ka ruajtur marrëdhënie miqësore me Moskën zyrtare edhe pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
“Është e qartë se po të mos kishte sanksione, po të mos harxhonim para për luftën në Ukrainë dhe po të rifillonim bashkëpunimin ekonomik me rusët, ekonomia evropiane – përfshirë edhe ajo hungareze, do të ishte në një drejtim krejt tjetër”, ka theksuar Orban.
“Në luftë nuk ka përparim, në paqe ka përparim. Kështu është rasti tani”, shtoi ai.
Ndërkohë, udhëheqësit e Bashkimit Evropian i kërkuan Komisionit Evropian të përgatisë opsione për t’i mbështetur nevojat ekonomike dhe ushtarake të Ukrainës për dy vjetët e ardhshme, por nuk ranë dakord të përdorin asetet e ngrira ruse për këtë qëllim.
Ndryshe nga shumica e vendeve të BE-së që mbështesin Kievin me fonde, armë dhe ndihmë politike, Hungaria nën udhëheqjen e Orbanit ndjek një kurs tjetër – refuzon të dërgojë armë në Ukrainë, kërkon heqjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe mban qëndrim kritik ndaj Kievit dhe aleatëve të tij në BE.




