Opozita shpërthen ndaj pushtetit: Tallje dhe arrogancë në seancat për pyetjet e deputetëve

Deputetët e opozitës ankohen se pushteti nuk respekton mundësinë e tyre për të parashtruar pyetje dhe për të kërkuar llogari për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me funksionimin e sistemit shtetëror. Nga opozita thonë se gjithnjë kur ata bëjnë pyetje, zyrtarët shmangin përgjigjen dhe kthehen në qeverisjen e pushteteve të kaluara kur LSDM dhe BDI ishin partnerë koalicioni për shtatë vjet. Rina Ajdari nga Fronti Evropian, për Alsat thotë se pyetjet e deputetëve janë nga shqetësimet e qytetarëve.

Gjithmonë, me keqardhje e konstatoj se ministrat e keqpërdorin foltoren e Kuvendit për të akuzuar qeverisjet e kaluara jo vetëm BDI-në por edhe partitë tjera politike dhe duke bërë propagandë për qasjen dhe mënyrën si qeverisin duke i bishtëruar dhe duke ju ikur përgjigjeve koncize për atë se çfarë ne parashtrojmë pyetje, deklaroi Rina Ajdari – Fronti Evropian.

Vërejtje të njëjtë kanë edhe nga LSDM. Deputetja Sllavjanka Petrovska si ish ministre e mbrojtjes kryesisht parashtron pyetje për keqpërdorime të mundshme në ushtri.

Ajo që kemi parë në Kuvend është keqpërdorimi i instrumentit “pyetje deputetësh”. Gjithnjë kur deputetët nga opozita parashtrojnë pyetje, në shumicën e rasteve për ministrat aktual janë të pakëndshme sepse nuk kanë përgjigje apo kanë frikë të përgjigjen. Ata kthehen me kundër pyetje dhe kthejnë disa tema të cilat që moti janë mbyllur. Është e qartë se duhet të punohet në kulturën politike e pushtetit qendror ndaj deputetëve, tha Sllavjanka Petrovska – LSDM.

Shqetësimet e opozitës gjithashtu janë edhe për atë se shpesh ndodhë që funksionarët të mos paraqiten në seancë ndërsa rrallë ndodhë ti marrin përgjigjet me shkrim kur funksionarët mungojnë. Seancat për pyetje deputetësh mbahen dy herë në muaj, njëra është e rezervuar vetëm për opozitën e tjetra për të gjithë deputetët. Secili deputet ka të drejtën të parashtrojë deri në tre pyetje për cilin do ministër. /Alsat.mk