Operacioni policor “In” në port të Durrësit, sekuestrohen 116 celularë dhe shishe me verë

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka finalizuar operacionin “In” në portin e Durrësit, gjersa nga kontrollet janë sekuestruar 116 celularë dhe 18 shishe me verë.

Në njoftim thuhet se i dyshuari tentoi t’i fuste me kamion pa i deklaruar.

“Në vijim të kontrolleve intensive në hyrje/dalje, nga shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, në bazë të analizës së riskut dhe kundër paligjshmërive në kufi, u krye kontroll në hyrje të Shqipërisë, në kamionin që drejtonte shtetasi R. A., 38 vjeç, banues në Devoll.

Nga kontrollet në mjet u gjetën 116 celularë dhe 18 shishe me verë, të dyshuara të kontrabanduara me qëllim shitjen në Shqipëri, sepse nuk ishin të pajisura me fatura blerjeje. Shtetasi R. A. synonte t’i fuste mallrat në Shqipëri, pa i deklaruar në PKK, konform ligjit.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, në kuadër të operacionit ‘In’, 38-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe mallrat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.