Shkon në 38 numri i viktimave nga tërmeti vdekjeprurës në Turqi me magnitudë 6.8 i shkallës Rihter që goditi krahinën lindore të Elazig.
34 prej tyre u vranë në Elazig dhe pjesa tjetër në provincën fqinje të Malatya. Më shumë se 1.600 njerëz u plagosën dhe 45 njerëz janë shpëtuar deri të shtunën në mbrëmje.
Në mesin e të mbijetuarve ishte një grua 35-vjeçare me vajzën e saj të vogël në rrethin Mustafa Pasha të Elazig.
Shpëtimtarëve, të cilët dëgjuan klithmat e tyre, ju deshën disa orë për t’i arritur ato, në kushte veçanërisht të vështira pasi temperaturat në zonë arrinin deri në -4 gradë Celsius.
Burri i saj 35-vjeçar ndërkohë vdiq nën rrënoja.
Ministri i Brendshëm Süleyman Soylu tha se operacioni i shpëtimit është drejt fundit. Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimin e tyre vetëm në një ndërtesë në Elazig, ku tre të zhdukur besohet se janë bllokuar.
Ndërsa Ministri i Shëndetësisë sqaroi se vetëm 104 nga të lënduarit ishin shtruar në spital. 13 prej tyre u pranuan në kujdes intensiv, por gjendja e tyre nuk konsiderohet kritike.
Presidenca e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave njoftoi më herët se ka dërguar më shumë se 10.400 tenda, 17,000 shtretër, 37,000 batanije, radiatorë dhe ushqim për të prekurit.
Tërmeti i të premtes në Turqi u ndje edhe në Siri, Liban dhe Iran.
Tërmetet janë të zakonshme në Turqi. Rreth 17,000 njerëz kanë humbur jetën nga një tërmet masiv në qytetin Izmit, më 1999.