Operacion policor në plazhin e Golemit, sekuestrohen 70 çadra dhe shezlongë

Policia e Shtetit ka bërë të ditur për një operacion policor në Kavajë “Plazhi i lirë”, për lirimin e hapësira publike.

Në njoftim thuhet se hapësirat e plazhit në Golem ishin zënë në mënyrë të paligjshme nga pushuesit.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në kuadër të plan-operacionit ‘Plazhi i lirë’, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse, nga subjektet në bregdet apo nga vetë pushuesit, duke vënë çadra dhe shezlongë.

Si rezultat i kontrolleve, në plazhin e Golemit, u konstatuan dhe u hoqën 70 komplete me çadra dhe shezlongë që ishin vendosur nga qytetarët, pa lejen përkatëse”, thuhet në njoftim.

Shërbimet e Policisë thonë se do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.