“Open Balkan”, invazion serbomadh mbi shtetet tona!

Kryeministri Edi Rama deklaroi se e ardhmja nuk është izolimi, por liria e lëvizjes së njerëzve, kapitaleve, mallrave dhe shërbimeve.

Rama tha në konferencën për media pas samitit të “Ballkanit të hapur” se kjo nismë synon t’iu heqë barrën prodhuesve apo eksportuesve në kufi.

Sipas tij, rritet shumë interesi për investime të huaja.

“Është afërmendsh që sot edhe pa Ballkanin e hapur fare dhe pa këto marrëdhënie fare ndodhin ndërveprime në territor. Prodhuesit shqiptarë, eksportuesit shqiptarë kanë vite që eksportojnë në Ballkan, në Serbi dhe para se të vendoseshin marrëdhëniet. Ajo që “Ballkani i hapur” po bën është që atyre t’iu heqë barrën e tmerrshme të presionit dhe pritjes në kufi.

Sot ka një fluks të caktuar aktivitetesh që ndodhin dhe njerëz që kanë nevojë për këtë gjë. Kjo sjell që shumë të tjerë të përfshihen në këtë hapësirë dhe të ndërveprojnë në këtë hapësirë. Rritet shumë interesi për investime të huaja nga jashtë, së pari duke vendosur garancinë e paqes. Patjetër që ndikimi pozitiv i gjithë këtij ndërveprimi shtrihet pastaj në të gjitha shoqëritë”, tha Rama.

Gjersa Rama po kërcënon me liri të lëvizjes, Serbia po kërcënon me destabilizim tri shtete në Ballkan (Kosovën, Malin e Zi, e Bosnjën me shpërbërje).

“Të bëhet një ndarje e zhvillimeve që kanë ndodhur në Ballkan”
Image
Drizan Shala
Foto galeri

Kjo ngjalli reagime të shumta, kështu eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se duhet bërë një ndarje të zhvillimeve që po ndodhin në Ballkan, që në njërën anë kemi projektim “Open Balkan”, ndërsa në anën tjetër ku Serbia ka projektin e ‘Botës Serbe’, nga e cila mundohet të pengojë zhvillimin normal të shteteve.

“Duhet të bëhet një ndarje në mesë zhvillimeve që janë duke ndodhur në Ballkan. Ku në njërën anë kemi projektin e platformës “Open Ballkan”, në të cilën shtetet anëtare shohin përfitime ekonomike për vendet e tyre duke llogaritur rritje të PPB ( GDP ) në mbi 3/4 % nëse jetësohet në aspektin praktik në terren. Ndërsa, kemi në anën tjetër Serbinë, e cila ka në vazhdimësi projektin e saj të ‘Botes Serbe’, duke tentuar që të interferojë në çdo hapësirë të mundshme për të penguar zhvillimin normal të shteteve që ajo ka pretendime model të cilën e praktikon Kremlini në ish hapësirën territoriale të BRSS”, tha ai.

Tutje theksoi se duhet konfrontuar me realitetin që këto shtete dhe Kosova kanë orientime të veta shtetërore, por jo ashtu siç po pretendon Serbia.

Sipas Shalës, Kosova duhet të jetë pjesë e “Open Ballkan”, vetëm që të shpalos pikat kundërshtuese.

“Pra, ne duhet të atakojmë tendencën e Beogradit në forume rajonale, ndërkombëtare duke e konfrontuar me realitetin që këto shtete edhe Kosova kanë orientime të veta shtetërore, dhe assesi orientime nën ndonjë shtet siç po pretendon Serbia nëpërmjet “Botës Serbe”. Kosova duhet që të jetë pjesë e një takimi në “Open Balkan”, si vëzhguese dhe aty të shpalosen pikat kundërshtuese për një platformë të tillë nëse janë në kundërshtim me interesat e Kosovës”, thotë Shala.

“Tirana të krijojë lidhje të fortë në Prishtinë”
Image
Muhamet Kelmendi
Foto galeri

Juristi Muhamet Kelmendi, mendon se është e vështirë të thuhet se pse po vepron Rama kështu në raport me shtetin serb.

Sipas tij, “Open Balkan”, nuk ndikon në të ardhmen, ndërsa në anën tjetër një organizim i tillë ndikon në raportet në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Tirana është dhe do të jetë në Prishtinë, është shumë vështirë të thuhet se ku dhe për çfarë po vepron kështu Edi Rama në raport me shtetin serb. Por, ajo që duhet theksuar është fakti se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor nuk qëndron te “Open Ballkan”, sepse nuk ekziston një shtet që ka forcë dhe ndikim ndërkombëtarë për të ndalur invazionin serbomadh mbi vendet tjera. Kjo, në njërën anë dhe, në anën tjetër, te shqiptarët dhe për shqiptarët, organizimi i tillë ndikon në raportet midis Kosovës dhe Shqipërisë. Serbia e donë dhe angazhohet e kërcënon me lufte Kosovën. Ajo e do një Kosovë të serbizuar”, tha ai.

Tutje ka shtuar se është shumë i dëmshëm afrimi i Ramës me Vuçiqin dhe me politikën maqedonase. Kelmendi theksoi se pozitiv është largimi i kufijve për njerëz dhe mallra, por me një shtet kriminel që nuk përgjigjet për dhunën dhe nuk njeh Kosovën, një “Open Ballkan”, është vetëm për çrregullime të mëtejshme të Kosovës.

“Këtë pikësynim po e shprehin në Beograd të gjithë, si nga pozita, ashtu edhe nga opozita. Nuk kemi në Serbi asnjë lëvizje pozitive në raport me Kosovën. Këtej, është i dëmshëm, shumë i dëmshëm, afrimi i z.Rama me kriminelin Vuçiq, si dhe me politikën maqedonose dhe të Maqedonisë së Veriut. Është gjë pozitive largimi i kufijve për njerëz dhe mallra, për qarkullimin e shërbimeve dhe të investimeve. Këtë e duan të gjithë, edhe vetë Kosova. Mirëpo, me një shtet kriminal, i cili edhe 1600 shqiptarë i ka nëpër varre masive në Serbi dhe nuk ka ua jep familjeve në Kosovë, nuk përgjigjet për dhunën e terrorin, nuk bën reparacione dhe nuk e njeh shtetin e Kosovës, një subjekt i tillë (shih “Open Ballkan”) është vetëm mundësi për çrregullim të mëtejshëm të shtetit të Kosovës”, ka theksuar Kelmendi.

Ndarjen me të kaluarën kriminale…

Më tej potencoi se me një shtet të tillë, pa e bërë ndarjen me të kaluarën kriminale ndaj shqiptarëve nuk krijohen lidhje të tilla. Mirëpo, sipas Kelmendit, në Serbi janë të njëjtit njerëz, politika e njëjtë antishqiptare, andaj edhe nuk ka afërsi në mes shteteve.

“Kështu edhe hapen portat e veprimeve destruktive të Serbisë, e nëpërmjet kësaj edhe të mekanizmave rus në shtetet tona. Mirëpo, duhet thënë gjithashtu se me një shtet të tillë, pa e bërë ndarjen me të kaluarën kriminale ndaj shqiptarëve, boshnjakëve, kroatëve, nuk krijohen lidhje të tilla. Kërkohet të dënohet e kaluara dhe të ecet në të ardhmen. E në Serbi janë të njëjtit njerëz, i njëjti mekanizëm kriminal dhe politikë e njëjtë antishqiptare, antibosane, antimalaziase e antikroate. Këtu nuk ka afërsi midis shteteve. Jo. Në këtë kuadër është dobësi dhe gabim i Edi Ramës afrimi me Serbinë. Të shpresojmë se kjo do të kuptohet”, shtoi ai.

Kelmendi më tej ka deklaruar se është dashur që Tirana të krijojë lidhje të forta në Prishtinë, dhe se me “Open Ballkan”, nuk bëhet bashkimi kombëtar. Kelmendi shtoi se kjo mund të shërbejë edhe si presion mbi UE për mos integrimin e Shqipërisë në këtë.

“Tirana është dashur të krijojë lidhje të forta në Prishtinë, në mënyrë që afërsia midis shqiptarëve të arrihet. “Open Ballkan” nuk i lidhë shqiptarët. Thuhet kjo, por është gabim, sepse me këtë krijohet ideja e koekzistencës aktuale. Kështu nuk bëhet bashkimi kombëtar. Jam i bindur se këtë do ta sheh z Rama. Kështu edhe do të bëhet. Nuk ka rrugë tjetër. Por, pse e kemi këtë afërsi? Unë dua të besoj në “mosdijenin” e Edi Ramës. Mundet që kjo të shërbejë edhe si presion
mbi UE për mos integrimin e Shqipërisë në këtë. Shpresoj se nuk ka qëllime tjera. Këtë nuk ia dua”, ka përfunduar Kelmendi.