OPEC shqyrton marrëveshjen e kufizimit të prodhimit të naftës

OPEC nisi sot një samit ministror dyditor, që duhet ta lejojë atë të vendosë mbi kuotat për kufizimin e prodhimit të ardhshëm të naftës, në një treg ende të ndikuar rëndë nga pandemia e COVID-19.

Të trembëdhjetë anëtarëve të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) do t’u bashkohen nesër dhjetë aleatët e tyre nga OPEC +, më e rëndësishmja midis tyre, Rusia.

Qëllimi i përbashkët i aleancës së vendeve prodhuese është të mbajë në këmbë tregun e prodhimit bruto përballë pandemisë së COVID-19, që po rimëkëmbet nga humnerat në të cilat çmimet e kishin zhytur atë në fund të muajit prill.

“Kriza shëndetësore vazhdon të ketë pasoja të pashembullta negative në ekonominë botërore dhe, rrjedhimisht, në tregjet e energjisë”, paralajmëroi ministri algjerian i Energjisë, Abdelmadjid Attar, i cili mban presidencën e rradhës së kartelit.

Për të ndaluar rënien e çmimeve, grupi i prodhuesve po përdor armën e tij kryesore duke detyruar shkurtime drastike në prodhimin e tij të arit të zi, në mënyrë që ta përshtasë atë në nivelin e kërkesës.