Onkologjia në kolaps: Mungojnë terapi për kancerin e gjirit, prostatës, melanomës dhe mushkërive

Në të njëjtën periudhë të vitit dhe për të njëjtën arsye, një pjesë e pacientëve onkologjikë sërish nuk mund të marrin terapi për shkak të procedurave të tenderimit në Klinikën për Onkologji, transmeton Portalb.mk nga TV24.

Për një nga medikamentet për kancerin e gjirit është gjetur zgjidhje kalimtare, por mungojnë ende medikamente për pacientët me kancer të prostatës, mushkërive dhe melanomës.

Nga klinika bëjnë të ditur se procesi i prokurimit publik është në zhvillim e sipër dhe së shpejti medikamentet do të jenë të disponueshme. Arsyeja është rritja e vazhdueshme e numrit të pacientëve të rinj.

“Për shkak të rritjes së vazhdueshme të pacientëve me sëmundje malinje, si dhe përmirësimit të rezultateve nga terapia, rritet edhe konsumi total i medikamenteve nga viti në vit. Gjendja është dukshëm më e mirë krahasuar me vitin e kaluar, por sigurisht që mbetet hapësirë për përmirësime të mëtejshme. Jemi të vetëdijshëm për seriozitetin e situatës dhe ndikimin potencial tek pacientët, dhe për këtë po punojmë aktivisht për ta tejkaluar plotësisht, në koordinim me institucionet kompetente dhe furnizuesit,” njoftojnë nga Klinika Universitare për Radioterapi dhe Onkologji.

Për pacientët, kjo nuk është justifikim për vonesën e terapisë. Ata kërkojnë që institucionet të planifikojnë sasinë në kohë dhe të koordinohen me furnizuesit.

“Nëse nuk fillohet procesi sa më shpejt, mungesa e medikamenteve vetëm do të rritet. Në këtë periudhë të vitit, ky problem përsëritet çdo vit dhe kjo ndodh vetëm për shkak të planifikimit të dobët, procedurave të këqija të tenderimit dhe mënyrës se si këto procedura janë të vendosura në vendin tonë, dhe kjo duhet të ndryshojë,” thotë Ana Marjanoviç nga shoqata “Hema–Onko”.

Nga shoqatat e pacientëve bëjnë apel që, derisa të përfundojnë procedurat e tenderimit, të gjendet një zgjidhje kalimtare, përndryshe pacientët do të mbeten pa terapi deri në mes të majit.

“Shpresojmë që Klinika për Onkologji dhe Fondi i Shëndetësisë të arrijnë marrëveshje me të cilën, ndërkohë që po përgatiten tenderët, pacientët të marrin terapinë e nevojshme, pra të bëhen blerje të përkohshme,” shtoi Marjanoviç.

Fondi ka rritur fondet në buxhet për blerjen e medikamenteve, por problemi nuk është zgjidhur dhe vazhdimisht ka periudha mungese të terapisë. Shoqatat e pacientëve kërkojnë që çdo person të ketë të drejtë për trajtim dhe qasje në terapi, dhe kërkojnë që shteti të vendosë rregull në prokurimet e medikamenteve.