Sipas Kombeve të Bashkuara, viti që shkoi ishte më vdekjeprurësi për civilët në Ukrainë që nga viti 2022.
Të paktën 2.514 civilë u vranë nga dhuna e ndërlidhur me luftën vitin e kaluar, tha Misioni Vëzhgues për të Drejtat e Njeriut, në krahasim me 2.088 në vitin 2024 dhe 1.974 më 2023. Edhe numri i civilëve të lënduar u rrit dukshëm secilin vit, raporton televizioni BBC.
Nga sulmi më vdekjeprurës në vitin 2025 u vranë të paktën 38 civilë në qytetin Ternopil në nëntor, sipas këtij misioni. Në mesin e viktimave ishin tetë fëmijë.
Të martën, presidenti Volodymyr Zelensky tha se nga sulmet ruse gjatë natës ishin vrarë katër njerëz në Kharkiv dhe disa qindra mijëra amvisëri kishin mbetur pa furnizim me rrymë përreth kryeqytetit Kiev, në mot të ftohtë dimëror.
Sipas misionit të OKB-së, numri i përgjithshëm i civilëve të vrarë dhe të lënduar më 2025 paraqet rritje prej 31 për qind në krahasim me vitin 2024 dhe 70 për qind më shumë se më 2023.
Më parë, ky mision kishte thënë se të paktën 8.006 civilë ishin vrarë e 13.287 ishin lënduar në 12 muajt e parë të luftës, ndërsa në nëntorin e vitit të kaluar raportoi për më shumë se 14.534 civilë të vrarë që nga fillimi i konfliktit.
Shefja e misionit të OKB-së, Danielle Bell, tha se numrat për vitin 2025 përfaqësojnë “një përkeqësim të shënuar në mbrojtjen e civilëve”./Nacionale




