OKB: Mbi 32 milionë njerëz do të zhyten në varfëri si pasojë e luftës me Iranin

Më shumë se 32 milionë njerëz në mbarë botën mund të zhyten në varfëri si pasojë e ndikimeve ekonomike nga lufta me Iranin, ndërsa pritet që vendet në zhvillim të goditen më rëndë.

Në një raport të publikuar mes dyshimeve për një armëpushim të brishtë, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka thënë se bota po përballet me një “tronditje të trefishtë” që përfshin energjinë, ushqimin dhe ngadalësimin e rritjes ekonomike.

Agjencia e ngarkuar me luftimin e varfërisë ka thënë se konflikti po përmbys përparimet në zhvillimin ndërkombëtar, me ndikime që pritet të ndihen në mënyrë të pabarabartë në rajone të ndryshme.

Alexander De Croo, administrator i UNDP-së dhe ish-kryeministër i Belgjikës, ka thënë se “një konflikt i tillë është zhvillim në drejtim të kundërt. Edhe nëse lufta ndalet, dhe një armëpushim është padyshim shumë i mirëpritur, ndikimi tashmë është i pranishëm”.

Do të shihni një ndikim afatgjatë, veçanërisht në vendet më të varfra, ku njerëzit shtyhen përsëri në varfëri. Ky është elementi më i dhimbshëm. Njerëzit që po shtyhen në varfëri janë shumë shpesh ata që kanë qenë dikur të varfër, kanë dalë prej saj, dhe tani po shtyhen sërish brenda saj”.

Çmimet e energjisë janë rritur ndjeshëm në gjashtë javët që nga sulmet e para ajrore amerikano-izraelite ndaj Teheranit, pasi mbyllja nga Irani e ngushticës së Hormuzit ka penguar furnizimin me naftë dhe gaz për ekonominë botërore. Me efekt zinxhir mbi furnizimet me plehra kimike dhe transportin global, ekspertët paralajmërojnë se është vendosur një “bombë me sahat për sigurinë ushqimore” për botën në zhvillim.

Edhe nëse një paqe e qëndrueshme në Lindjen e Mesme mund të ruhet, drejtuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar ka thënë se “efektet e plagosjes ekonomike” nga konflikti kanë dëmtuar në mënyrë të përhershme ekonominë globale.

Me publikimin e raportit ndërsa liderët botërorë mblidhen në Uashington për takimet pranverore të FMN-së, UNDP-ja ka thënë se nevojitet një përgjigje globale për të mbështetur vendet më të prekura nga pasojat ekonomike.

Sipas raportit, nevojiten transferta të synuara dhe të përkohshme në para për të mbrojtur familjet më të cenueshme në vendet në zhvillim, me një kosto prej rreth 6 miliardë dollarësh për të neutralizuar goditjet për ata që bien nën kufirin e varfërisë.