Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) ka alarmuar për një krizë të thellë humanitare në Rripin e Gazës, ku 92 për qind e foshnjave janë të privuara nga ushqimi bazë për shkak të sulmeve të vazhdueshme izraelite, bllokadës dhe mbylljes së kufijve.
Sipas OCHA situata ka përkeqësuar ndjeshëm gjendjen e sigurisë ushqimore, veçanërisht te fëmijët e vegjël dhe nënat e tyre.
“Në prill, krahasuar me muajin e mëparshëm, është vërejtur një rritje prej 80 për qind e rasteve të fëmijëve që vuajnë nga uria dhe kequshqyerja, duke pasur nevojë për trajtim urgjent mjekësor. Fëmijët e moshës 6 deri në 24 muaj, së bashku me nënat e tyre, nuk arrijnë të marrin as nivelin minimal të ushqimit të nevojshëm për të mbijetuar”, thekson OCHA.
OCHA paralajmëron se pasojat e kësaj situate janë tejet serioze dhe mund të ndikojnë në zhvillimin fizik e mendor të këtyre foshnjave për pjesën tjetër të jetës së tyre.
Përveç mungesës së ushqimit, kriza është thelluar edhe nga mungesa e aksesit në ujë të pijshëm. Sipas të dhënave të fundit, 65 për qind e popullsisë në Gaza nuk ka qasje të sigurt në ujë të pijshëm, duke rrezikuar shëndetin publik dhe duke shtuar barrën mbi sistemet shëndetësore të mbingarkuara.