Ohër, 20 mijë objekte pa leje presin legalizim

Edhe pse zona e mbrojtur e rajonit të Ohrit u përjashtua nga Ligji për legalizimin e ndërtesave të paligjshme, zbatimi i saj përfundimtar do të jetë katastrofike për Ohrin, thonë nga nisma e qytetarëve “Zë për shpëtimin e Ohrit”. Ligjin e miratoi Kuvendi, por presidenti Pendarovski nuk e nënshkroi. Megjithatë, deputetët tani mund ta votojnë sërish, pas çka nga kreu i shtetit do të kërkohet ta miratojë të njëjtin. Në një situatë të tillë, sektori joqeveritar në Ohër informon se ka shumë ndërtesa të paligjshme të vendosura 50 metra larg liqenit që mund të legalizohen.

Në Ohër është kërkuar legalizim për 19,974 objekte. Është numër serioz dhe del se i gjithë Ohri është ndërtim i paligjshëm – tha Andrijana Baskaoska – nisma “Zë për shpëtimin e Ohrit”.

Organizata joqeveritare “Ohri SOS” ka qëndrim të njëjtë se ligji në fjalë është i dëmshëm, edhe pse për momentin është jashtë fuqie.

Miratimi i këtij ligji nuk është asgjë më shumë sesa legalizim i krimit të mafisë urbane – thonë nga OJQ Ohër SOS.

Autoritetet lokale në Ohër kohët e fundit kanë vazhduar aksionin për pastrimin e plazheve në bregun e Ohrit, heqjen e banakëve dhe pajisjeve të tjera të vendosura në mënyrë të paligjshme.

E dimë që në brigjet e liqenit të Ohrit ka uzurpatorë që kanë vendosur objekte betoni dhe ato duhet të zgjidhen. Dhe nuk duhet të ketë selektim në prishjen e objekteve të paligjshme, duhet të ketë plan – deklaroi Andrijana Baskaoska – nisma “Zë për shpëtimin e Ohrit”.

Qeveria ka angazhuar ndërmarrjen publike për mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e rrugëve kombëtare dhe rajonale “Rrugët e Maqedonisë” që t’i sigurojë komunës së Ohrit makineri për të intensifikuar largimin e ndërtimeve të paligjshme në rajonin e Ohrit në zonën e mbrojtur të parkut Galiçicë.